E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinis puna për legalizimin e dokumenteve në Ambasadën Greke pranë Postës



Jonida Tashi

Rinis puna për legalizimin e dokumenteve në Ambasadën Greke pranë Postës Shqiptare. Pas ndërprerjes së krijuar me rastin e festave të fundvitit, Posta Shqiptare ka nisur që nga dita e djeshme shërbimin e legalizimit të dokumenteve në Ambasadën Greke për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi. Tashmë çdo qytetar mund t’i dërgojë dokumentet për në Ambasadën Greke me postë në rrethin apo qytetin ku banon dhe shërbimi kryhet brenda 48 orëve. Futja e këtij shërbimi pritet të evitojë radhët e gjata të qytetarëve pranë sporteleve të Postës. Posta Shqiptare, në zbatim të aktmarrëveshjes së bashkëpunimit për shërbimin e legalizimit të dokumenteve në Ambasadën Greke në Tiranë, ka nisur kryerjen e shërbimit për qytetarët në të gjitha zyrat postare të çdo filiali, duke filluar nga data 5 janar 2009.
Shërbimi
Në të gjitha sportelet e Postës Shqiptare ka filluar shërbimi i legalizimit të dokumenteve për shtetasit shqiptarë. Shërbimi i legalizimit të dokumenteve për shtetasit shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi ka për qëllim jo vetëm lehtësimin e nevojave të qytetarëve dhe shmangien e radhëve të stërzgjatura në dyert e Ambasadës, por dhe lehtësimin e punës së këtij institucioni për t’iu përgjigjur në kohë nevojave dhe kërkesave të qytetarëve. Për këtë, qytetarët mund të paraqiten pranë zyrave postare të rrethit ku banojnë për të postuar dokumentet e tyre për legalizim pa qenë nevoja të shkojnë në Tiranë për t’i dorëzuar ato. Sipas Postës, ky shërbim i ri i lehtëson qytetarët, të cilët kanë nevojë të kryejnë legalizimin e dokumenteve në Ambasadën Greke. Për mënyrën e aplikimit informacion i plotë gjendet në çdo sportel të Postës Shqiptare të çdo qyteti. Po aty është i gjithë informacioni i duhur për mënyrën se si do të aplikohet.
Aplikimi
Për çdo shtetas që është prezent në legalizimin e dokumentit, përveç dokumentit që do të legalizohet, kërkohet edhe një fotokopje e pasaportës së tij. Dokumenti duhet të jetë i legalizuar më parë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë dhe të jetë kryer pagesa e detyrimit për Ambasadën Greke pranë Alfa Bank, në shumën 2500 lekë për çdo dokument që do të legalizohet në Ambasadën Greke. Kurse për shtetasit shqiptarë, të cilët nuk janë prezentë, përveç dokumentit që do të legalizohet, kërkohet një deklaratë përgjegjësie që merret në autoritetet policore greke, ose pranë bashkive të këtij shteti, si dhe fotokopja e pasaportës të personit të autorizuar për kryerjen e këtij shërbimi. Theksohet se deklaratat e përgjegjësisë duhet të jenë vetëm nga autoritetet greke. Dokumentet e mësipërme duhet të futen në një zarf, i cili do të plotësohet me adresën e dërguesit (emër, mbiemër personi), dokumentet e të cilit do të legalizohen me adresë të plotë dhe për marrës Ambasadën Greke Tiranë. Tarifa e shërbimit me pullë do të vendoset që në momentin e pranimit. Në rast se mungon njëri nga këto dokumente, Ambasada Greke nuk i legalizon ato.

Tarifat e shërbimit postar
Për qytetarët në rrethe 380 lekë
Për qytetarët e Tiranës 240 lekë

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›