E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i ftohtë, 200 pacientë në ditë paraqiten në urgjenca



Moti i ftohtë ka bërë që situata në spitale të jetë alarmante për shkak të shtimit të numrit të të prekurve. Temperaturat e ulëta kanë ndikuar ndjeshëm në përhapjen e virozave të ndryshme në radhët e popullatës, ku ditët e fundit bëhet fjalë për fluks pacientësh. Numri i tyre ka arritur deri në 200 pacientë në ditë, kryesisht fëmijë që janë paraqitur në ditët e fundit të vitit që lamë pas dhe në këto ditë të para të 2009-s. Dyndje të madhe ka pasur në dyert e urgjencave dhe kryesisht në atë të Spitalit të Pediatrisë në QSUT. Mjekët rekomandojnë që fëmijët dhe të moshuarit të mos ekspozohen ndaj të ftohtit, sidomos në orët e pasdites. Specialistët thonë se kemi të bëjmë me disa lloje virozash, të cilat qarkullojnë te të prekurit. Sinoptikanët flasin se temperaturat do të vijnë duke u ulur. Simptomat e virozës së fëmijëve janë: gjendje gripale, ftohje apo temperaturë e lartë. Sipas mjekëve, një situatë e tillë është e zakonshme në këtë periudhë dhe pritet që në ditët në vijim të ketë një rritje të numrit të fëmijëve të prekur nga virozat e stinës së ftohtë të dimrit. Megjithëse ISHP-ja ka bërë të ditur shtimin e numrit të fëmijëve që kanë marrë vaksinën antigrip, duket se parandalimi i gripit është bërë i pamundur. Përsa i përket vaksinës antigrip, mjekët thonë se ajo tani nuk jep asnjë efekt, pasi periudha e saj ka qenë në muajt tetor-nëntor. Mjekët këshillojnë që prindërit të mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm fëmijët dhe, nëse shohin gjendje të rënduar, të drejtohen menjëherë në qendrat shëndetësore. Sipas mjekëve, ndryshimi i menjëhershëm i motit, si dhe luhatjet e vazhdueshme të temperaturave, stimulojnë edhe më shumë shfaqjen e virozave të stinës.

QSUT, pritet shtimi i disa shërbimeve dhe aparaturave

Pritet shtimi i disa shërbimeve dhe blerja e aparaturave për të vënë në funksion shërbimet e reja në QSUT. Drejtoria e QSUT-së bën të ditur se brenda këtij viti do të shtohet blerja e aparaturave. Kështu, me zgjerimin e shërbimeve, parashikohet vendosja e aparaturave të reja, kryesisht për spitalin e ri të urgjencave, i cili parashikohet të vihet në punë në gjysmën e dytë të vitit 2009. Njëkohësisht, pritet t’u jepet zgjidhje më e mirë ekzaminimeve, duke përdorur metodat e reja të shkencës dhe teknikave për shumë patologji. Kështu, në QSUT pritet të ketë aparatura të skanerit, rezonancës magnetike, që do të zgjerojnë më shumë mundësinë e ekzaminimit për një numër më të madh pacientësh dhe në interval kohor më të shkurtër. Gjatë këtij viti pritet të përfundojnë punimet në një sërë objektesh të tjera spitalore, si rikonstruksioni i godinave të spitaleve, etj. QSUT u shërben mesatarisht rreth 60 mijë pacientëve në vit. Në të realizohen rreth 20 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit, ndërkohë që numri i pacientëve të paraqitur në urgjencën spitalore,arrin mesatarisht 110 mijë. Në këtë qendër kryhen rreth 1.8 milionë analiza të ndryshme.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›