E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muaji janar rihap procedurat për kurimin e pacientëve jashtë vendit



Emanuela Sako

Muaji janar rihap procedurat e aplikimit për kurimin e pacientëve shqiptarë në vendet e huaja. Pas një periudhe pushimi rreth 4-mujore, pacientët tashmë do të kenë të drejtën e kurimit në spitalet që kanë marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë. Ndryshimi për këtë vit është se përveç aplikimeve të reja, do të shqyrtohen edhe kërkesat e pacientëve që kanë aplikuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë gjatë muajve të fundit të 2008-s. Kjo për shkak se shtetet e huaja mbyllën listën e pranimeve nga vendi ynë, pasi kuotat e caktuara ishin plotësuar. Ndërkohë, aplikimet e pacientëve kanë vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe. Tashmë mënyra e përzgjedhjes për të gjithë aplikantët do të bëhet e njëjtë. Kështu, të gjithë ata qytetarë që nuk kanë mundur të shkojnë për kurim në spitalet e huaja dhe ata që e kanë të nevojshëm kurimin në to kanë të drejtë të drejtohen pranë MSH-së për të kryer procedurat dhe për t’u njohur me kërkesat dhe rregullat. Flitet se numri i kërkesave të mbartura nga viti i kaluar është i shumtë.
Rregullat
Nuk dihet ende nëse do të ketë ndryshim në numrin e pranimeve të pacientëve nga spitalet e huaja për këtë vit. Për të shkuar jashtë vendit, pacientët duhet t’iu nënshtrohen një sërë procedurave dhe të kenë me vete një dokumentacion të detajuar për sëmundjen. Për të vendosur nëse pacienti duhet të shkojë në një nga spitalet e huaja, mjeku që e ka kuruar mbledh një komision të posaçëm për shqyrtimin e sëmundjes. Më pas jepet epikriza, e cila i dorëzohet palës pritëse. Nëse spitalet e huaja vendosin që të presin pacientin, atëherë kontaktojnë me Ministrinë e Shëndetësisë për ta dërguar jashtë vendit të sëmurin. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ndihmon për nxjerrjen e dokumenteve të vizës për pacientin. Shteti turk pranon një numër të konsiderueshëm pacientësh, të cilët arrijnë deri në 100 çdo vit. Ndërsa spitalet greke pranojnë çdo vit deri në 30 pacientë. Por kërkesat për t’u kuruar jashtë vendit janë më të mëdha sesa mundësitë që ka Ministria e Shëndetësisë për të përballuar fluksin e kërkesave që shkojnë çdo ditë në Ministri. Pacientët janë të detyruar ta zgjidhin në mënyrë individuale çështjen e kurimit në një nga spitalet e huaja në rastet kur nuk është e mundur nga MSH-ja. Kjo kategori është e detyruar të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të gjejë vetë spitalin ku do të kurohet.
Pacientët
Ministria e Shëndetësisë ka detyrë që t’u krijojë pacientëve të gjitha mundësitë për të shkuar deri në spitalin e caktuar nga shteti pritës, duke kontaktuar vazhdimisht me autoritetet vendase. Një pjesë e pacientëve vendosin të shkojnë me shpenzimet e veta për kurim jashtë vendit, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ndërhyn për t’u mundësuar lehtësimin e marrjes së vizave. Të gjithë pacientët, që rezultojnë me ndonjë nga sëmundjet e përcaktuara në listën e hartuar nga MSH-ja, shteti shqiptar i ndihmon për t’i nisur në njërin nga shtetet pritëse.

Dokumentacioni

Për pacientët që kërkojnë kurim falas në bazë të marrëveshjeve janë të nevojshme këto dokumente: epikriza nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”. Vendim i Komisionit Ndërspitalor të QSUT-së. Këto dy dokumente, në rastin kur shkojnë në Turqi, duhen të përkthyera dhe të noterizuara në anglisht. Ndërsa për rastet që shkojnë në Greqi, të përkthyera dhe të noterizuara në greqisht.

Për pacientët që kërkojnë notë verbale për lehtësimin e vizës në ambasada janë të nevojshme këto dokumente:

Epikriza nga qendra universitare spitalore “Nënë Tereza”
Dokumentacioni që vërteton disponibilitetin për pritjen e pacientit në vendin ku do të shkojë dhe kostoja e shpenzimeve për kurimin e pacientit
Garanci Bankare (që tregon pagesën e bërë nga pacienti kundrejt spitalit në masën 30% të shpenzimeve për kurimin e pacientit jashtë)

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›