Serbia do të shlyejë borxhet e konsumatorëve serbë te KEK
Qeveria serbe ka vendosur të paguajë borxhet e serbëve të Kosovës ndaj KEK, me një kërkesë të drejtuar UNMIK-ut, duke provokuar polemika në Kosovë, se pas kësaj kërkese mund të fshihet një prapavijë politike. Zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha se përjashton çfarëdo ndërhyrje me prapavijë politike. Por zyrtarët e KEK-ut janë të interesuar të inkasojnë borxhet për energjinë e shpenzuar, pavarësisht prej përkatësive etnike të konsumatorëve, ku për serbët shuma arrin në 125 milionë euro. Sekretari i shtetit në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç tha dje se zyrës së UNMIK-ut dhe përfaqësuesve të ambasadave të huaja në Kosovë po iu prezantohet një projekt i Qeverisë së Serbisë për shlyerjen e borxheve që serbët e Kosovës i kanë KEK-ut. Ivanoviç e vlerësoi këtë si një ndihmë humanitare për serbët e Kosovës, por autoritetet në Prishtinë nuk janë vënë në dijeni për këtë ofertë të Serbisë. “Nëse kjo kuptohet si një politikë e Serbisë ne nuk jemi të interesuar që të bëjmë politika të tilla, por nëse kuptohet si diçka tjetër atëherë do ta shikojmë. Por momentalisht nuk kemi informacione për këtë propozim”, tha Kuçi duke shtuar Kosova ka institucionet dhe mekanizmat e saj dhe mund të bëjë vetëm marrëveshje ndërshtetërore, qoftë me Serbinë apo edhe me shtete tjera fqinjë. “Në asnjë rast nuk mund theksohet si diçka që mund ta prek sovranitetin apo të drejtën tonë për të menaxhuar me resurse tona. Duhet të fitohet përshtypja se duhet t’i kryejnë obligimet e veta që kanë në shtetin e Kosovës dhe në anën tjetër nëse kuptohet ajo pagesë si ndonjë kompromis politik, ne nuk bëjmë kompromise politike, por po e them përsëri nuk kemi informacione të tilla”, theksoi ai. Ndërsa zyrtarët e KEK-ut janë të interesuar të inkasojnë sa më shumë borxhet për energjinë e shpenzuar. Ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues, Arben Gjukaj, duke u përgjigjur rreth ofertës së qeverisë së Serbisë për shlyerjen e borxheve të konsumatorëve serbë, tha se KEK-u vetëm është i interesuar të grumbullojë paratë për energjinë e shpenzuar. “Këto janë çështje politike. E përsëris se ne si korporatë jemi të interesuar që të gjithë konsumatorët që paguajnë do t’i marrim paratë. Është e drejtë e konsumatorëve, e drejtë e tyre private se ku dhe nga i siguron ato mjete”, tha ai. Qytetarët serbë të Kosovës nuk kanë paguar energjinë elektrike që prej pas luftës.
Dy shpërthime në Lagjen e Boshnjakëve
Në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë kanë ndodhur dy shpërthime të fuqishme gjatë orëve të vona të së enjtes. Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, shpërthimet kanë ndodhur pranë ndërtesës së re shumëkatëshe në afërsi të urës lindore të lumit Ibër. Gjatë hetimeve në vendin e ngjarjes, policia ka identifikuar dëme të vogla materiale, por të lënduar nuk ka. Në bazë të hetimeve të para, dyshohet se shpërthimin e kanë shkaktuar mjete eksploduese, granata dore.
Gjermani, një nga viktimat kosovar
Policia gjermane ka konfirmuar se viktima e vetme mashkull, në mesin e të gjitha femrave në tmerrin e shkollës në Shtutgart, ku humbën jetën 16 persona, është një djalë i moshës 14 ose 15 vjeç nga Kosova. Identiteti i viktimës ende nuk është bërë publik. Në këtë rajon jetojnë më shumë shqiptarë sesa në çdo pjesë tjetër të Gjermanisë. Një 17-vjeçar, i veshur në të zeza, ka hapur zjarr në ish-shkollën e tij, duke vrarë 15 persona, para se policia të shkëmbente zjarr me dorasin, ku më pas i dha fund edhe jetës së tij.