Policia çeke, takim me Burgajn. Të dhëna edhe për studentët e zhdukur
Kreu i policisë shqiptare ka raportuar për homologët çekë se çfarë hetimesh janë zhvilluar deri më sot për tre studentët çekë. Këto të dhëna i ka treguar gjatë një takimi të veçantë me një delegacion të policisë çeke, që po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë nga data 23-27 nëntor. Në përbërje të delegacionit të policisë çeke janë 18 ekspertë të luftës kundër krimit të organizuar, të antidrogës, të krimit kibernetik, të terrorizmit, Interpolit, Europolit, të luftës kundër korrupsionit dhe shumë fushave të tjera. Më tej, Burgaj u ndal në reformimin që ka pësuar Policia e Shtetit, i cili e ka zanafillën që me miratimin e ligjit të ri të policisë, që e shkëputi tërësisht policinë nga ndikimi politik, e që u pasua me miratimin e akteve të tjera ligjore e nënligjore në zbatim të tij. Po ashtu, Burgaj vuri në dukje faktin se me gjithë uljen e numrit të punonjësve të policisë gjatë kësaj periudhe, pozitiv është fakti që Policia e Shtetit ka arritur të përmirësojë performancën dhe rezultatet në punë. "Vizita juaj këtu, përveç vendosjes së kontaktit, njohjes dhe krijimit të besimit reciprok do t‘i shërbejë luftës kundër krimit. Fuqizimi i kontakteve, rritja e bashkëpunimit përmes oficerëve të kontaktit e Interpolit, janë në funksion të një ndërlidhjeje sa më të shpejtë dhe në një kohë sa më të shkurtër në mënyrë që krimi të mos gjejë strehë në asnjë prej vendeve tona", tha Burgaj. Në emër të delegacionit çek, Jakub Frydrych, Drejtor i Skuadrës Kombëtare Antidrogë, i cili duke falënderuar drejtorin e Përgjithshëm për pritjen e rezervuar, vuri në dukje rëndësinë e takimeve të zhvilluara gjatë ditës së djeshme me specialistë të strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit. Këto takime, theksoi Frydrych, do t‘i shërbejnë thellimit të kontakteve të bashkëpunimit ndërmjet policisë çeke dhe policisë shqiptare, në funksion të goditjes së të gjitha formave të krimit.