Kupa, caktohen sot dy skuadrat finaliste
TIRANE-Do të luhen sot në orën 15.00 dy takimet e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Në Peqin, Shkumbini kërkon historinë përballë Besës së Kavajës, ndërsa në Shkodër, Vllaznia pret Teutën e Durrësit, pas humbjes 1-0 të pësuar dy javë më parë në "Niko Dovana". Duke parë takimet e para, gjithçka mbetet e hapur dhe të katërta ekipet kanë shanse për të shkuar në finalen e 6 majit. Për Shkumbinin, ndeshja e sotme është një takim me historinë, pasi kësaj skuadre i mjafton të administrojë rezultatin e ndeshjes së parë për të prerë biletën e finales. Në Kavajë, ndeshja e 2 javëve më parë përfundoi në barazim 1-1, një rezultat që favorizon shumë ekipin e Përparim Daiut. Gjithsesi, Besa ka arritur të fitojë këtë sezon në Peqin, një nga fushat më të vështira të kampionatit. Por, është fakt se ekipi i drejtuar nga Shpëtim Duros ka pësuar një rënie të dukshme në javët e fundit. Ndërkohë, në takimin tjetër që luhet në "Loro Boriçi", Teuta niset si e favorizuar përballë Vllaznisë, pas fitores 1-0 dy javë më parë, megjithatë shkodranët gëzojnë një formë më të mirë për momentin. "Besojmë shumë te tradita, pasi çdo 5 vjet Teuta fiton Kupën", ka deklaruar dje presidenti i skuadrës durrsake Edmond Hasanbelliu. Përpos kësaj, në Shkodër Kupa është kthyer në një objektiv primar, duke qenë se shihet si mundësia e vetme për të qenë në Evropë sezonin tjetër. Forma e Vllaznisë në javët e fundit ka qenë në rritje dhe kjo mund të jetë vendimtare në takimin e sotëm. Veç kësaj, objektivi kryesor i skuadrës durrsake mbetet qëndrimi në Superligë, që është vënë seriozisht në dyshim pas rezultateve të javëve të fundit.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)