E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupa e Konfederatave nis me “Davidin” kundër “Goliathit”Gjashtë kampionë nga gjashtë kontinentet ofrojnë spektakël të garantuar. Bashkë me kampionen e Europës, Spanjën, është dhe ajo e botës, Italia

Me gjashtë kampionë nga gjashtë kontinentet, fituesen e Kampionatit Botëror 206, Italinë, dhe vendin organizator, Afrikën e Jugut, Kupa e Konfederatave 2009, paraqet spektaklin më të madh të vitit futbollistik, dhe konsiderohet nga të gjithë specialistët si një “warm-up” (nxehje) në prag të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Tetë skuadrat pjesëmarrëse premtojnë spektakël në 16 ndeshje që do të luhen nga data 14-28 qershor 2009, kur tre prej tyre Brazili, Italia e Spanja shihen si favoritet për të fituar trofeun e lakmuar, një kompeticion që ka nisur në vitin 1992 e me fitues të parë Argjentinën, që mundi në finale vendin organizator, Arabinë Saudite.

Zelanda e Re-Spanja

Kampionia e Europës, Spanja, shpreson të tejzgjasë vrapimin e saj të pathyeshëm kur ajo do të përballet me Zelandën e Re për ndeshjet në Grupin A (14 qershor, ora 20:30). Spanja do të vuajë mungesën e mjeshtrit të mesfushës Andres Iniesta,  ndërkohë që kampionët e Oqeanisë do të jenë pa kapitenin e tyre, mbrojtësin Rian Nelsen. Dy skuadrat kanë në grup edhe Afrikën e Jugut (pritësen e Kupës së Konfederatave) dhe Irakun. Në ndeshjet e tyre të fundit miqësore, Iberikët shkatërruan 6-0 Azebajxhanin në Baku, ndërkohë që formacionin nga Oqeania, humbi 4-3 me Italinë në një ndeshje tërësisht nervoze.

Betejat kyçe

Spanja e “armatosur” me yje të kalibrit botëror si Fernando Torres, Ksavi Hernandez dhe Iker Kasijaz, është në kontrast të thellë me skuadrën e “peshës së lehtë” të Zelandës së Re, që bazohet vetëm me lojtar që luajnë në kampionatin vendas dhe me eksperiencë të kufizuar ndërkombëtare. Sfida ofron disa beteja tërheqëse midis “Goliathit” të Europës, Spanjës, dhe “Davidit” të Oqeanisë, Zelandës së Re. Sulmuesi David Vija (Spanjë) kundër Shejn Smeltz (Zelanda e Re). Vija është golashënuesi i tretë më i mirë në historinë  e “La Roja”, dhe në ndeshjen e fundit shënoi tre gola, duke u ngjitur në kuotën e 28 golave, teksa nëse shënon në stadiumin e Rustenburgut, ai do të kalojë Fernando Hierron, një tjetër legjendë e futbollit spanjoll. Nga ana tjetër “rivali” i Vijës, Smeltz ka pak arritje për të qenë krenar, duke futur këtu edhe çmimin si futbollisti më i mirë i Ligës A australiane. Goli i tij në ndeshjen kundër Italisë, i jep statusin e shënuesit më të rrezikshëm në skuadrën e tij.

DEKLARATA

SPANJA
“Ne kemi mbërritur këtu si kampionët në fuqi të Europës, por ne kemi respekt për kundërshtarët tanë”, - tha portieri i Spanjës, Iker Kazijas.

ZELANDA E RE
“Një rezultat i mirë kundër ekipit numër një në botë, mund të na vendosë në qendër të vëmendjes”, - tha sulmuesi i Zelandës së Re, Kris Kajllën.

KURIOZITETE

32 NDESHJE
Ky është numri i ndeshjeve rresht pa humbje i Spanjës. Formacioni i Vinsento del Boskes është vetëm tri ndeshje larg nga barazimi i Brazilit, që mban edhe rekordin absolut të takimeve pa humbje (35).

SHTATLARTËSIA
Zelanda e Re ka ekipin me shtatlart në këtë kompeticion, me një mesatare prej 1.85 m. Nga ana tjetër, Spanja ka lojtarë të të tillë si Santi Kazorla (1.69 m) dhe Ksavi Hernandez (1.70 m).

Afrika e Jugut-Irak, “betejë” takticienësh

Afrika e Jugut do të bëjë ç’është e mundur të kënaqë shikuesit e saj kur ajo do të përballet me kampionët e Azisë, Irakun në ndeshjen hapëse të Kupës së Konfedaratave, të dielën (ora 16:00). Trajneri Zhoel Santana, i cili drejton prej 14 muajsh formacionin afrikanojugor do të përballet me një “dhelpër të vjetër” siç konsiderohet, i shumëbredhuri Bora Milutoniviç. Fitorja ndaj Irakut do ta çonte në drejtimin e duhur Afikën e Jugut, për të siguruar të paktën një nga dy vendet që të çojnë në gjysmëfinale, duke parë dhe faktin se në grupin A, favoriti krysore konsiderohet Spanja. Beteja kyçe konsiderohet ajo midis Stivën Pajnar (Afrika e Jugut) dhe Nashat Akram (Irak), i pari është një lojtar i Evertonit në Angli, ndërkohë që irakieni luan në Holandë me Tuenten.

TRAJNERËT
SANTANA
“Ne kemi në dispozicion tre ndeshje dhe nëse fitojmë kundër Irakut, do të kemi më shumë besim. Kjo është dhe arsyeja që ne e kërkojmë atë”, - tha trajneri i Afrikës së Jugut, Zhoel Santana.

MILUTINOVIÇ
“Patëm pak kohë në dispozicion, por ekipi ynë ka lojtarë të mirë. Jam realisht optimist se në do të bëjmë performancë të mirë në turne”, - tha trajneri i Irakut, Bora Milutinoviç.

STADIUMET E FINALEVE

“Elis Park”
61 mijë vende

Fillimisht u ndërtua në vitin 1928 si stadium për regbi. U prish dhe u rindërtua në vitin 1982. Ka një kapacitet prej 61 mijë shikuesish. Në këtë stadium do të luhen pesë ndeshje, përfshirë ndeshjen hapëse dhe atë finale. Johannesburgu është kryeqendra financiare e kontinentit afrikan. Është një qytet që pulson energji, kulturë dhe argëtim.

“Free State”
48 mijë vende

U ndërtua në vitin 1952 dhe aktualisht mund të mbajë 48 mijë shikues. Shërben si për ndeshjet e regbisë ashtu dhe për ato të futbollit. Këtu do të luhen katër ndeshje, përfsirë dhe një nga gjysmëfinalet e Kupës. Mangaung/Bloemfontein është një qytet shumë i hapur për njerëzit, tepër miqësor, reflekton  ngrohtësi dhe rezaton një qetësi të admirueshme.

“Royal Bafokeng”
42 mijë vende

Është një nga stadiumet e përzgjedhur për finalet e Kampionatit Botëror 2010. U ndërtua në vitin 1999, por me kompletimin e tij në vazhdim e sipër do të ketë 42 mijë vende. Në këtë stadium do të luhen katër ndeshje, përfshirë dhe atë për vendin e tretë. Qyteti Rustenburg ndodhet në zemër të savanës afrikanojugor. Ka një bukuri natyrore nën këmbët e vargmalit Megaliesburg.

“Loftus Versfeld”
50 mijë vende

Ndodhet në zemër të Pretorias dhe ka një kapacitet aktual prej 45 mijë vendesh, por do të shkojë në 50 mijë në përfundimin e plotë të tij. Për herë të parë u përdor në vitin 1906, por kohë pas kohe iu nënshtrua disa rikonstruksioneve. Tshvane/Pretoria është një qytet i pasur dhe me një trashëgimi shumëngjyrëshe që e bën atë tepër të gjallë për të rinjtë e të vjetrit.

KUPA E KONFEDERATAVE
“Afrika e Jugut 2009”

Grupi A
Afrika e Jugut, Iraku, Zelanda e Re, Spanja

Ndeshjet
14.06.09 Afrika J.-Irak         16:00
14.06.09 Zelanda e Re-Spanjë    20.30

17.06.09 Spanjë-Irak             16:00
17.06.09 Zelanda e Re-Afrika J.    20.30

20.06.09 Irak-Zelanda e Re         20:30
20.06.09 Spanjë- Afrika J.        20.30

Grupi B
Italia, Brazili, Egjipti, SHBA

Ndeshjet
15.06.09 Brazil-Egjipt         16:00
15.06.09 SHBA-Itali            20.30

18.06.09 SHBA-Brazil            16:00
18.06.09 Egjipt-Itali            20.30

21.06.09 Itali-Brazil         20:30
21.06.09 Egjipt-SHBA            20.30

GJYSMËFINALET
24.06.09 Fituesi i Grupit A- I dyti i Grupit B
25.06.09 Fituesi i Grupit B- I dyti i Grupit A

VENDI I TRETË
28.06.09    16:00

FINALJA
28.06.09    20:30

LIBRI I ARTË

“Gjermani 2005”
Fitues: Brazili
Finalist: Argjentina
“Këpuca e artë”: Adriano

“Francë 2003”
Fitues: Franca
Finalist: Kameruni
“Këpuca e artë”: Henri

“Kore/Japoni 2001”
Fitues: Franca
Finalist: Japonia
“Këpuca e artë”: Pires

“Meksikë 1999”
Fitues: Meksika
Finalist: Brazili
“Këpuca e artë”: Ronaldinjo

“Arabia Saudite 1997”
Fitues: Brazili
Finalist: Australia
“Këpuca e artë”: Romario

“Arabia Saudite 1992”
Fitues: Argjentina
Finalist: Arabia Saudite
“Këpuca e artë”: Murraj, Batistuta

E Shtune, 13 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›