E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregulli i ri, ja kush mund të vijë te ShqipëriaJanë të shumtë talentet shqiptare, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, që mund t’i thonë “po” fanellës kuqezi në të ardhmen. Një pjesë e mirë e tyre kanë zgjedhur një kombëtare tjetër për

Jetmir Halilaj (Panorama Sport) -Janë të shumtë talentet shqiptare, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, që mund t’i thonë “po” fanellës kuqezi në të ardhmen. Një pjesë e mirë e tyre kanë zgjedhur një kombëtare tjetër për motive familjare, ndërsa të tjerë kanë marrë një vendim të nxituar edhe për shkak të emrit të madh si Gjermania. Ka madje dhe nga ata që janë penduar për zgjedhjen që kanë bërë, por nuk janë frenuar me idenë se tanimë nuk mund të ndryshonin asgjë. Gjergji Kone i AEK-ut, Elin Dhimuço i Panathinaikosit kanë ende mundësi të luajnë për flamurin e Shqipërisë, pasi janë aktivizuar vetëm me të rinjtë e Greqisë. Tiranasi Jurgen Gjasula që luan te Bazeli, nëse dëshiron mund ta provojë sërish me Kombëtaren shqiptare. Mesfushori ka dhënë sinjale kohët e fundit se është penduar që zgjodhi Gjermaninë. Përveç tyre, ka edhe shumë talente të tjera nga trojet kosovare si Migjen Basha (Rimini), Faton Toski (Frankfurt), Mërgim Mavraj (Bohum), Labinot Harbuzi (Elfsborg), Emir Bajrami (Elfsborg), Rijat Shala (Foxhia), Albert Bunjaku (Nurnberg), Beg Ferati (Bazel), Shkodran Metaj (Groningen), Orhan Mustafi (Bazel), Bajram Sadrijaj (Borusia Dortmund), Shaban Ismaili (Shtutgart) etj, të cilët nëse dëshirojnë, do të kenë mundësi të provojnë shanset e tyre për një fanellë kuqezi.

Kosova
Me këtë rregull, edhe Kosova mund të përfitojë tani. Mesfushori kosovar i Malmos, Labinot Harbuzi, ka luajtur për U-21 e Suedisë, ndërsa tani është 23 vjeç. Ai, por edhe shumë të tjerë që janë në pozita të ngjashme me të, tani mund të vendosin që të luajnë për Kosovën. Kjo vlen vetëm nëse ai nuk do të pranojë në të ardhmen që të luajë për përfaqësuesen A të Suedisë. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe Emir Bajrami, që po ashtu luan për Shpresat e Suedisë. Edhe dy ish-futbollistët e përfaqësueses Shpresa të Zvicrës, Rijat Shala dhe Albert Bunjaku, kanë të drejtë të luajnë për Kosovën. Shala, tash 25-vjeçar, në të kaluarën ka bërë mbi 20 paraqitje me U-21 e Zvicrës. Të njëjtën moshë ka edhe Albert Bunjaku, tani pjesëtar i skuadrës së Bundesligës gjermane Nurnberg.

FFK-së shpreson, entuziazëm i madh në Kosovë

Lajmi për ndryshimin e rregullit të FIFA-s nuk mund të pritej ndryshe veçse me nota optimizmi në Kosovë. Drejtuesit e Federatës vendëse, por edhe sportdashës të shumtë, shpresojnë që në të ardhmen të kenë një skuadër përfaqësuese sa më dinjitoze. Një pjesë e lojtarëve kosovarë që aktivizohen në klube të huaja, kanë premtuar se janë gati të luajnë për ngjyrat e flamurit të tyre, sapo t’u jepet mundësia. Duke mos pasur alternativa të tjera, pasi nuk kanë arritur të çajnë në Kombëtaret A të Zvicrës, Suedisë apo Gjermanisë, shumë talente kosovare janë shprehur të gatshëm për të luajtur për Kosovën në të ardhmen. Deklaratat e tyre kanë nxitur akoma më shumë drejtuesit e FFK-së që të shtojnë përpjekjet për anëtarësim në FIFA dhe UEFA, çka do të ngjallte më tepër interes edhe te vetë futbollistët, pasi kështu do mund të luanin edhe në arenën ndërkombëtare. Krerët e institucionit të futbollit vendës janë të bindur se nëse afrohen vetëm gjysma e talenteve kosovare që luajnë jashtë, atëherë përfaqësuesja e tyre do të ishte e denjë për të konkurruar në nivele të larta, madje do të paraqitej pa asnjë problem në kompeticionet ndërkombëtare të futbollit. 

E Shtune, 13 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›