Kupa e Shqipërisë, Besa-Tirana 2-0

Me fitoren e pastër 2-0 ndaj Tiranës në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, Besa, e mbetur me dhjetë lojtarë qysh nga minuta e 43-të i dha një leksion të hidhur trajnerit Devi Muka, pikërisht në debutimin e tij me 13-herë fituesit e kupës, pavarësisht se në bankinë ishte ulur trajneri i portierëve, Astrit Nallbani dhe Alban Tafaj vazhdoi "telenovelën" e drejtimit të stafit përmes celularit.
Sulmuesi i Besës, Bledar Mancaku, realizoi në minutën e 9-të nga pika e bardhë, pas një penalltie të shkaktuar nga mbrojtësi i Tiranës, Ditmar Bici. Dy minuta përpara përfundimit të pjesës së parë mbrojtësi i majtë i Besës, Renato Arapi u ndëshkua me karton të kuq, duke e lenë skuadrën me dhjetë lojtarë, por Tirana nuk mundi dot të përfitojë nga superioriteti numerik.
Në minutën 85-të, mesfushori Artion Poçi kombinoi me Bledar Mancakun, ky i fundit goditi drejt portës tiranase, portieri Blendi Nallbani nuk arriti ta zotërojë plotësisht dhe aty Daniel Xhafaj përfitoi duke shënuar golin e dytë e duke çuar shifrat 2-0. Një hap i madh i Besës drejt gjysmëfinales, edhe pse ka edhe 90 minuta për tu luajtur në ndeshjen e kthimit dy javë më pas në kryeqytet.