E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Shqiperise fitore ne Shkoder barazim ne Ballsh

Fitore në Shkodër dhe barazim në Ballsh. Këto ishin përfundimet e ndeshjeve të së dielës në Kupën e Shqipërisë, takime që patën pak gola dhe shumë luftë. Bëhet fjalë për xhiron e parë në fazën e dytë të grupeve.
Në “Loro Boriçi”, Vllaznia arriti të mposhtte Laçin me rezultatin 2-0 dhe ta niste me hap të mbarë vitin 2012 në atë që mund të quhet si kompeticioni më i rëndësishëm për të, pasi nga kampionati dhe kalimi në kupat e Europës nëpërmjet Superligës i ka larë duart prej kohësh.
Goli i parë për Vllazninë u shënua në pjesën e parë nga mbrojtësi lezhjan, Dritan Smajli, ndërsa pas pushimit shkodranët ishin të vendosur që të mos e diskutonin fitoren. Kjo u arrit kur i riu Gjini shënoi golin e dytë dhe përfundimtar në ndeshjen e vlefshme për Grupin B.
Ndërkaq, Bylis dhe Tirana barazuan në Ballsh ndeshjen e grupit A. Kjo përballje pati fatin e ndeshjes së parë të këtij grupi, që doli 0-0 në Krujë mes Kastrioti dhe Kamzës.
Në një fushë të vështirë për të luajtur futboll, Tirana ushtroi më shumë presion, ndonëse edhe skuadra vendase u përpoq të shfrytëzonte faktin që po luante në shtëpi.
Rastet ishin të pakët dhe terreni nuk i lejoi dy ekipet që të afroheshin rrezikshëm tek portat përkatëse.
Mbetet për t’u luajtur edhe takimi tjetër i po këtij grupi, ai mes Skënderbeut dhe Flamurtarit është në program për t’u luajtur të martën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›