E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A thyhet pas 7 fitoreve Interi

Interi bie pikërisht në momentin më të bukur. Pas eliminimit nga Kupa e Italisë, zikaltërit humbasin edhe në ndeshjen e javës së 20-të të Serisë A, në fushën e Leçes. Në “Via del Mare”, skuadra e Ranierit u mposht me rezultatin 1-0, pas golit të Xhakomacit.
Humbja ka lënë një shije të hidhur, pasi interistët dominuan takimin, por nuk ishin të saktë përpara portës. Merita për fitoren e Leçes kishte edhe “gardiani” Benasi, I cili ka bërë mrekullinë pas tentativave të Samuel e Pacinit.
Me këtë disfatë, zikaltërit mbeten në kuotën e 35 pikëve dhe tashmë kanë 9 pikë më pak se kryesuesit e Juventusit. Skuadra e Ranierit, që nuk arriti të barazonte rekordin e Interit të Zhoze Murinjos, ka zbritur në vendin e pestë, pasi u kalua nga Lacio.
Bardhkaltërit fituan 3-0 në fushën e Kievos dhe I japin tre shkelma krizës. Vendimtarë për skuadrën e Rejës ishin goli I Hernanes dhe dopieta e të zakonshmit Miroslav Klose.
Ndërkohë, vuan një tjetër skuadër kryeqytetase: Roma. Skuadra e Luis Enrikes ngadalëson hapin në garën për një vend në Champions League, pas barazimit 1-1 në shtëpi me Bolonjën.
Miqtë kaluan të parët në avantazh në të 57-ën me Di Vaion, ndërsa për verdhekuqtë shënoi Pjaniç 5 minuta më pas. Edhe pas ka sulmuar deri në fundin e lojës, Roma nuk arriti të shënonte rrjetën e fitores.
Në takimet e tjera të luajtura në pasditen e së dielës, Napoli humbi 3-2 në fushën e Xhenoas, Palermo mposhti 2-0 Novarën e Samir Ujkanit, që nuk ka pasur faj në golat e pësuar. Bogdani luajti vetëm 10 minuta në humbjen që Çezena pësoi në shtëpi me Atalantën, ndërsa në mesditë Fiorentina kishte fituar 2-1 me Sienën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›