E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampionati holandez Fejnordi mposht Ajaksin

Fejnordi i afrohet vendeve të kreut, pavarësisht se ka 7 pikë diferencë nga kryesuesit e PSV Eind’hoven, pas fitores 4-2 përballë rivalëve të Ajaksit.
Ylli i ndeshjes ishte padyshim sulmuesi i huazuar nga Mançester Siti, Xhon Guideti, i cili realizoi tre gola. Ndeshja nisi me avantazhin e papritur të miqve nga Amsterdami në minutën e 17-të, me Eriksen që e dërgoi topin në rrjetë pas një aksioni të shkëlqyer personal, ku pesë mbrojtës nuk arritën ta frenonin.
Fejnordit iu dhurua goli i barazimit në të 29-ën, me një 11-metërshi të dyshimtë të akorduar nga gjyqtari Kuipers, pas një ndërhyrjeje të pastër të Vertonghen ndaj suedezit Guideti, I cili e ekzekutoi vetë penalltinë, duke barazuar rezultatin.
Përpara pushimit ndërmjet pjesëve, vendasit shënuan golin e avantazhit 2-1, me Guidetin që shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes së Ajaksit, pas goditjes së dënimit të Klasie.
Ky gol zhbllokoi Fejnordin, që vetëm 4 minuta pas startit të pjesës së dytë të takimit, shënoi edhe golin e tretë me autor Bakal. Ajaksi krijoi idenë se u kthye në lojë pas golit të rusit Bulikin në të 80-ën, me një goditje predhë.
Megjithatë, Guideti realizoi golin e sigurisë në të 83-ën, duke vulosur shifrat përfundimtare në 4-2. me këtë fitore, Fejnordi ngjitet në kuotën e 34 pikëve, duke barazuar Ajaksin dhe Herenvenin e vendit të katërt. Në ndeshjet e tjera të së dielës, spikat fitorja 4-1 e Tventes me Groningenin, që I mban ata në vendin e dytë me 39 pikë, 2 më pak se PSV-ja kryesuese.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›