E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diktat bavarez, Reali shfryhet në Gjermani

Zhgënjen Kristiano Ronaldo, spanjollët e Mourinjos i falen golit të Ozilit.

Riberi-Gomez, Bajerni shënjestron finalen e Champions-it.

Bajerni ka mundur Realin e Madridit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kampioneve, por spanjollët shpresojnë te kualifikimi pas golit të Mesut Ozilit. Nën një atmosferë të jashtëzakonshme në “Alianc Arena”, ku do të luhet edhe finalja e këtij Champions-i, i mbushur plot e përplot (66 mijë vende), ka startuar sfida e djeshme. Reali u duk sikur do të dominonte takimin, përderisa në minutat e para ishte në kontroll të topit, e natyrisht edhe të lojës, por pa mundur që të rrezikojë më shumë se një herë portën e Nojer. Një dalje e bukur para portës e Benzema gjeti si përgjigje grushtimin e portierit të Bajernit dhe fill pas këtij rasti erdhi edhe avantazhi i bavarezëve. Goditje këndi, topi në zonë, nuk largohet si duhet nga Serxhio Ramos dhe aty Riberi gjuan fort duke shënuar. Madrilenët protestuan paksa për pozicionin e Alaba para portierit Kasajis, por duhet thënë se lojtari nuk mori fare pjesë në aksion. Në minutat në vazhdim të fraksionit të parë të lojës, dy raste për shënim pati edhe Kristiano Ronaldo, me goditje dënimi nga afër zonës, por portugezi i shpërdoroi që të dyja. Edhe pjesa e dytë nisi si e para, me një fillim të mirë të miqve dhe më pas me dominim nga ana e vendësve. Spanjollët arritën të barazonin shifrat në minutën e 53-të me anë të Ozilit pas një aksioni pa shumë pretendime, por me një mbrojtje gjermane që la shumë për të dëshiruar. Gjithsesi, vendësit nuk u pajtuan me rezultatin, duke startuar me një seri të pafundme sulmesh drejt portës së mbrojtur nga Kasijas. Sakaq, e vetmja mënyrë për t’i ndalur bavarezët ishte ajo e gabuara, ndaj edhe arbitri nuk përtoi të nxirrte pesë kartonë të verdhë ndaj “merengues”. Në momentin kur loja po shkonte drejt paqes, erdhi edhe goli i Gomezit, i cili mund të rezultojë deciziv për ndeshjen e kthimit. Gjithsesi, Bajerni nuk duhet të humbë në Madrid, pasi edhe një 1-0 minimal do ta eliminonte.

Bajern – Real Madrid  2-1
Shënues: Riberi 17′, Gomez 89′/ Ozil 53′
Kartonë të verdhë: Badshtyber, Roben, Lahm/ Kontreao, Ksabi Alonso, S.Ramos, Di Maria
Gjyqtar: Hauard Ueb (ANG)
Bajern: Nojer, Lahm, Boateng, Badshtyber, Alaba, Luiz Gustavo, Shvainsteiger (Myler 61′), Roben, Kros, Riberi, Gomez. Trajner: Hjup Hejnkes
Real Madrid: Kasijas, Arbeloa, Pepe, Sergio Ramos, F.Koentrao, Ksabi Alonso, Kedira, Di Maria (Granero 79′), Ozil (Marcelo 69′), K.Ronaldo, Benzema (Higuain 84′). Trajner: Jose Mourinjo

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›