Basha, zemër ekipit: Luftoni deri në fund!
Ka entuziazëm, mbështetje dhe përkrahje te Tirana, paçka humbjes së pësuar në ndeshjen e fundit në kampionat me Skënderbeun. Kjo vjen nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili me kërkesën e tij ka takuar dje një përfaqësi të klubit bardheblu. Duke filluar nga trajneri Rubio, drejtori teknik, Tafaji, kapiteni Sina e lojtarë me peshë, si Ilion Lika, Gilman Lika, Erjon Dushku etj., të gjithë kanë marrë mbështetjen maksimale nga ana e kryebashkiakut. “Humbëm një ndeshje në Korçë, por kjo nuk do të thotë që çdo gjë ka mbaruar. Unë dua që ju të luftoni në çdo takim deri në fund të kampionatit, pasi ne jemi Tirana dhe nuk dimë të ndalemi para asnjë vështirësie. Nesër (sot) është ndeshja me Flamurtarin në kupë dhe besoj se kjo skuadër i ka mundësitë që ta tregojë veten dhe të shkojë në finale për ta fituar këtë trofe. Nga ana ime keni mbështetjen maksimale, dhe ju siguroj se skuadrës nuk do t’i mungojë asgjë. Desha që këtë gjë t’jua them në vetë të parë, pasi nuk dua që ekipi të pësojë nga ana morale pas humbjes me Skënderbeun”, mësohet të ketë thënë z.Basha në takimin e djeshëm me futbollistët e Tiranës. Nga ana tjetër, edhe lojtarët kanë garantuar kryebashkiakun se ata do të japin maksimumin në çdo ndeshje deri në fund të sezonit, si në kupë ku kanë shanse reale për të fituar sërish trofeun, por edhe në kampionat, duke nderuar fanellën bardheblu, pavarësisht rezultateve të kundërshtarëve: Skënderbeu dhe Teuta.
Kupa/ Tirana gati e kualifikuar, dilema në Krujë
Me një Tiranë thuajse të kualifikuar për në finale, për shkak të fitores 3-0 të arritur në ndeshjen e parë në Vlorë, gjithë vëmendja e Kupës sot do të shkojë në Krujë, ku do luajë Kastrioti kundër Skënderbeut. Takimi i parë gjysmëfinal, i luajtur në Korçë, përfundoi 3-1 në favor të vendësve, por llogaritë bëhen vetëm pasi të luhet sfida e dytë. Një fitore e pastër, 2-0, e krutanëve i çon ata në finale. Para pak ditësh, trajneri Ramadan Ndreu do të deklaronte në formë shantazhi sportiv se Skënderbeu ka më pak se 50% shanse për t’u kualifikuar, por teksa u kthehesh dy përballjeve të fundit mes dy skuadrave, por edhe humbjes së Kastriotit në Berat, vështirë të besohet versioni i trajnerit krutan. Ndërkohë duhet thënë se që të dyja ndeshjet do luhen në orën 15:30 në “Qemal Stafa”, Tirana-Flamurtari dhe në Krujë Kastrioti-Skënderbeu, por pa spektatorë për shkak të dënimit që ka marrë me një ndeshje pa tifozë si Tirana, po ashtu edhe Kastrioti nga Komisioni i Disiplinës.