E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupa, grushta VIP në fund të Dinamo-Bylis

TIRANE-Nuk kanë mjaftuar ngjarjet e fundjavës dhe dënimet e rënda të dhëna nga Komisioni i Disiplinës për të frenuar aktet e dhunës në futbollin shqiptar. Dje, episodet e pakëndshme janë shfaqur në kryeqytet, në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të kthimit për Kupën e Shqipërisë, atë mes Dinamos e Bylisit (3-0). Dy klube që deri dje konsideroheshin miq, për shkak edhe të origjinës ballshiote të presidentit të bluve Besnik Sulaj, dje kanë përfunduar në një konfrontim të paprecedent me njëri-tjetrin. Protagonistë janë bërë zëvendës presidenti i Dinamos Avni Braçe dhe presidenti i Bylisit Besnik Kapllanaj, që kanë shkëmbyer deri grushta me njëri-tjetrin. Gjithçka ka ndodhur në minutat e fundit, kur Elis Bakaj ka shënuar golin e dytë për skuadrën kryeqytetase. Kjo ka bërë që drejtuesit e Bylisit të lëshonin një sharje ndaj fantazistit të Dinamos, ç'ka ka acaruar në moment ngjarjet në tribunën e "Skënder Halilit". I pari është ngritur presidenti Avni Braçe që ka replikuar me fjalë, ndërsa si përgjigje ka marrë edhe ai fjalë fyese. Përplasja mes Braçes dhe Kapllanajt ka degjeneruar aty për aty dhe në fund të saj, policia ka shoqëruar me forcë numrin 1 të klubit ballshiot, që është larguar më pas nga stadiumi. Një moment tepër i rëndë acarimi, që për pak ka ndikuar në një përplasje edhe midis skuadrave në fushë, megjithëse loja përgjatë 90 minutave të saj ka qenë tepër e rëndë dhe e mbushur me tension.
ÇFARE NDODHI?
Dinamo ka arritur të fitojë 3-0 ndaj Bylisit dje dhe të kalojë në turin tjetër, pavarësisht se ballshiotët patën fituar 1-0 në fushën e tyre dy javë më parë. Megjithatë, gjithçka është vendosur vetëm në çastet e fundit. Deri pak para fishkëllimës finale të arbitrit Enea Jorgji, ndeshja ishte 1-0, falë golit të realizuar nga Gentjan Muça, ç'ka i çonte dy skuadrat në dhomat e zhveshjes. Loja ka qenë tepër e rëndë përgjatë 90 minutave, duke sjellë shpesh acarimet e gjakrave në fushë. Një nga momentet kyç të ndeshjes ishte kartoni i kuq i dhënë për Putincanin, i cili goditi pastër me kokë kapitenin e Bylisit Amarildo Dimo. Gjyqtari Jorgji e dërgoi në dhomat e zhveshjes dhe gjërat u vështirësuan për blutë. Në tribunë u çua edhe trajneri i portierëve i Bylisit Agim Meto, madje për të u desh edhe ndërhyrja e forcave të rendit. Më pas, ishte sërish Elis Bakaj ai që nxorri nga situata skuadrën e drejtuar nga Shkëlqim Muça, duke shënuar golin e dytë në limitin e kohës së rregullt. Aty ishte edhe pikënisja e sherrit. U fol për një sharje ndaj Bakajt, ç'ka solli reagimin e zëvendës presidentit të Dinamos Avni Braçe. Në çast është hedhur edhe Kapllanaj dhe në tribunë ka plasur grushti. Kjo ka çuar në ndërhyrjen e forcave të policisë, që kanë nxjerrë jashtë presidentin e Bylisit Kapllanaj.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›