E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa, përcaktohen 8 skuadrat e çerekfinaleve

TIRANE- Kupa e Shqipërisë ka njohur 8 skuadrat çerekfinaliste, pas ndeshjeve të kthimit të turit të dytë që janë zhvilluar sot. Dinamo ka triumfuar 3-0 kundër Bylisit, duke zhvlerësuar fitoren 1-0 të ballshiotëve në fushën e tyre dy javë më parë. Ndërkohë, ka kaluar në turin tjetër edhe Tirana, e cila ka mposhtur Lushnjën 2-1. Bardheblutë kishin barazuar 2-2 në “Roza Haxhiu” dhe nuk e kanë patur të vështirë të kualifikohen në takimin e sotëm. Po për grupin A, Shkumbini mundi minimalisht 1-0 Kastriotin, duke u kualifikuar, për shkak se ndeshja e zhvilluar në Krujë dy javë më parë pati përfunduar në barazim 1-1. Takimi i Kavajës mes Besës dhe Laçit përfundoi me një tjetër fitore të skuadrës së Shpëtim Duros, madje me të njëjtin rezultat si në Laç, 1-0. Për grupin B, Vllaznia është kualifikuar lehtësisht ndaj Kamzës, duke barazuar 2-2 në shtëpi, pasi në ndeshjen e parë shkodranët fituan 3-1. Kalon në tetëshe edhe Teuta e Mirel Josës, që triumfoi 2-0 me Partizanin. Të Takimi i zhvilluar dy javë më parë në kryeqytet pati përfunduar në barazim 1-1. Ndërkohë, dy ndeshjet më të bukura janë zhvilluar në Fier dhe në Vlorë. Në “Loni Papuçiu”, Apolonia mundi 2-1 Skënderbeun, por nuk mundi të kualifikohej, pasi korçarët fituan 1-0 në fushën e tyre. Ndërsa skuadra fituese në fuqi e Kupës, Flamurtari, i ka dhënë lamtumirën turneut pas barazimit 1-1 me Gramozin. Vlonjatët madje humbën edhe një 11-metërsh në këtë ndeshje, por që nuk do të kishte qenë i mjaftueshëm, sepse kolonjarët kishin fituar 1-0 në fushën e tyre para dy javësh. Çiftet çerekfinaliste do të jenë Tirana-Besa, Vllaznia-Skënderbeu, Dinamo-Shkumbini dhe Teuta-Gramozi.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›