Kupa shtyn "zborin" e Brigelit
08/04/2005 Federata Shqiptare e Futbollit dhe trajneri i Kombëtares sonë, Hans Peter Briegel, kanë shtyrë zborin e katërt stërvitor për nga radha, me futbollistët e kampionatit tonë. Shkak i shtyrjes së zborit, i cili ishte parashikuar të niste në 17 mars, është data e zhvillimit të ndeshjeve të kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, të cilat janë planifikuar për në datën 20 prill. Shefi i sektorit të garave në FSHF, Besnik Çela, ka konfirmuar dje, faktin se zbori i radhës i trajnerit, Hans Peter Briegel, me futbollistët e kampionatit tonë, është shtyrë përkohësisht për 7 ditë më vonë, por ende nuk është e sigurt, pasi ekziston mundësia për t'u shtyrë sërish. Ai tha se kjo shtyrje është bërë për shkak të ndeshjeve të kthimit të Kupës së Shqipërisë që do të zhvillohen në 17 prill. “Eshtë e vërtetë që Briegel, në datën 17 prill kishte në projekt, për të bërë një zbor të radhës me futbollistët e kampionatit tonë, tha shefi Çela, por për arsye se në 20 prill do të zhvillohen ndeshjet e kthimit të Kupës së Shqipërisë, mundet që ky zbor të bëhet në datën 23 prill. Natyrisht, këto ditë presim konfirmimin edhe nga zoti Briegel, që nëse do të bëhet në 23 prill apo në një ditë tjetër”. Për sa i përket rëndësisë së këtij zbori, Çela tha se kjo bëhet për të parë gjendjen e lojtarëve dhe për t'i ngacmuar ata, në prag të ndeshjes së katër qershorit kundër Gjeorgjisë, për eliminatoret e Kampionatit Botëror. “Ky zbor është në vazhdën e atyre që Briegel ka bërë me futbollistët e kampionatit shqiptar, për të parë gjendjen e lojtarëve dhe për t'i ngacmuar për ndeshjen kundër Gjeorgjisë”, përfundoi Çela. Nga ana tjetër, në axhendën e tij Briegel ka konfirmuar se do të ndjekë edhe një ndeshje të javës së 32-të.