Rraklli: Gjesti ndaj tifozëve? Episod
08/04/2005 Fitorja në ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Vllaznisë, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, e ka lënë të kënaqur Tiranën, e cila ka hedhur kështu një hap drejt kualifikimit. Tashmë, shpreson për një paraqitje të mirë në ndeshjen e kthimit, në favor të tyre do të ishte barazimi. Megjithatë fundi i aventurës së Altin Rrakllit në këtë ndeshje nuk ka qenë dhe aq i kënaqshëm. Në mesin e pjesës së dytë, sulmuesi kavajas i bardhebluve është ofenduar nga një pjesë e tifozëve, të cilët nuk e miratonin lojën e tij, edhe për të thënë të drejtën, Rraklli ishte një ndër më të mirët për Tiranën në këtë ndeshje. Në minutën e 82-të, kur sulmuesi do të zëvendësohej nga trajneri Starova dhe po shkonte drejt pankinës bardheblu, i ka kthyer “reston” asaj pjese tifozësh që kishin kontestuar më parë. Reagimi i tij ishte i ashpër. “Ajo që ndodhi me tifozët ishte thjesht episod – theksoi dje Rraklli. - Dhe gjëra që edhe mund të ndodhin. Por ajo që më ngacmoi më shumë kishte të bënte me faktin se unë po unë po luaja mirë. Prandaj dhe u irritova”. Për sa i përket lojës jo të mirë të Tiranës, sulmuesi bardheblu, mendon se një skuadër nuk është e thënë që t'i fitojë të gjitha ndeshjet, me rezultat të thellë. “Nuk mund t’i fitojmë të gjitha ndeshjet 5-0, vazhdon më tej kavajasi i Tiranës. Ky është futbolli”. Ndërkohë, që menjëherë pas ndeshjes, nuk mungojnë zërat se në radhët e Tiranës janë shtuar debatet e ashpra. Sikurse ka bërë të ditur dje, një e përditshme sportive, Muka e Rraklli janë propozuar si protagonistë të “përplasjes me trajnerin Starova. Por vetë futbollisti ka mohuar gjithçka. Unë vetë nuk kam asgjë kundër trajnerit, por reagimi im ishte vetëm me ata pak tifozë. Ndërsa për Mukën të them të drejtën nuk di gjë fare". Rraklli është i mendimit se situata aktuale e klubit nuk mund të quhet kurrsesi krizë. "Kjo nuk është krizë, derisa nuk ka kriza në fushë" - përfundon sulmuesi i Tiranës.