Kuper-Jahjaga: Kosova përfaqësohet siç e njohën
Kosova përfaqësohet ashtu siç e njohën 87 vendet. Ka qënë kjo deklarata e ardhur nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë takimit me përfaqësuesin e BE-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper.
“Përfaqësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare duhet të bëhet me emrin me të cilin është njohur ajo nga 87 vendet e botës dhe me emrin me të cilin Republika e Kosovës vendos marrëdhënie bilaterale, si shtet sovran dhe i pavarur”.
Duke i’u referuar një deklarate për shtyp, mësohet se Jahjaga ka thënë se: dialogu në Bruksel, me lehtësimin e BE-së, nuk po zhvillohet për statusin e Kosovës por për çështje teknike, të interesit të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe adreson çështje konkrete.
Për të, zgjidhjet që dalin nga dialogu duhet të jenë në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira europiane dhe ato duhet të garantohen nga BE-ja.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Kuper ka thënë se dialogu ka arritur një përparim të caktuar dhe se marrëveshjet kanë filluar të zbatohen gradualisht.
**************
Ndërmjetësi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, do të vizitojë sot Prishtinën. Lajmi është konfirnuar nga zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Koçijançiç, e cila ka theksuar se Cooper do të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur raundin e ardhshëm të dialogut me Beogradin.
Me qëllim rifillimin e dialogut dypalësh, Cooper zhvilloi në Vjenë një takim me negociatorin serb Borisllav Stefanoviç, ku diskutoi për përfaqësimin e Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani.
Dialogu për çështjet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit ka filluar në mars të vitit të kaluar dhe deri tani, me ndërmjetësimin e BE-së, janë zhvilluar disa raunde.
Beogradi nuk lëkundet nga qëndrimi që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Nga ana e tyre, autoritetet kosovare deklarojnë se Kosova në nismat rajonale do të paraqitet e barabartë me të tjerët dhe se rezoluta 1244 është e tejkaluar. / INA