E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkursi i Arkitekturës, Arteve e Sporteve kushton 4500 lekë

Vetëm për t‘u regjistruar në konkurs kushton 4500 lekë në degët e Akademisë së Arteve, Akademisë së Sporteve dhe në degën e Arkitekturës. Tarifat janë bërë publike nga Ministria e Arsimit, e cila publikoi dje udhëzimin për konkursin e pranimit. Maturantët që konkurrojnë në këto degë, përpos katër provimeve të maturës, duhet të japin edhe testin special, i cili ka numrin më të madh të pikëve, për natyrën specifike të këtyre degëve. Konkurset në të gjitha këto fakultete zhvillohen në javën e fundit të muajit korrik.

Sipas Ministrisë së Arsimit, kandidatët për studentë në këto degë, përpos plotësimit të Formularit A2, duhet edhe të paraqiten personalisht në secilin prej këtyre fakulteteve për t‘u regjistruar. Afati i regjistrimeve në konkurs është nga data 1 deri më 18 korrik 2008, nga ora 09:00 deri në orën 17:00 pranë sekretarive të fakulteteve përkatëse. Tarifa e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit është 4000 lekë (të reja) për të gjitha degët e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve "Vojo Kushi". Po e njëjta shumë është edhe për regjistrimin në programin e studimit "Edukim Fizik dhe Sporte" në Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi". Ndërsa tarifa e regjistrimit në degët e Akademisë së Arteve dhe në Fakultetin e Arkitekturës është 4500 lekë. Për sa i përket peshës së pikëve të konkursit, MASH-i bën të ditur se "në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit në Akademi në masën 80 për qind. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25% të pikëve të konkursit të pranimit nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj akademie".

Ndërsa në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve "Vojo Kushi" në Tiranë dhe në programin e studimit "Edukim Fizik dhe Sporte" të Universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës raporti do të jetë: 30 për qind të pikëve matura dhe 70 për qind të pikëve konkursi.

Për Arkitekturën rritet sasia e pikëve të provimeve të maturës. Kështu raporti është 35 për qind e pikëve matura dhe 65 për qind konkursi i fakultetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›