E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuqezinjtë drejt Shtutgartit, fillon grumbullimi i parë i Han

Ari Han më në fund do të drejtojë Kombëtaren e vërtetë shqiptare, të cilën deri tani e ka vëzhguar vetëm nëpërmjet pamjeve filmike apo tregimeve të vetë futbollistëve kuqezi. Pas thuajse 6 muajsh nga emërimi i tij, tekniku holandez do të ketë sot në dispozicion për herë të parë lojtarët që nuk mundi t‘i drejtonte më përpara në miqësoret e planifikuara kundër Arabisë Saudite dhe Moldavisë, për shkak të pezullimit të Shqipërisë. Pas heqjes së pezullimit ndërkombëtar, tashmë holandezi do të ketë mundësinë jo vetëm të shohë nga afër të gjithë lojtarët dhe t‘i drejtojë ata në stërvitje, por edhe do të mund të zhvillojë një ndeshje miqësore me Kombëtaren e Polonisë. Lista e publikuar prej kohësh nga tekniku holandez ka konfirmuar se ai dëshiron të shohë nga afër shumë lojtarë të rinj, të cilët e kanë bindur në zborin që zhvilloi në Antalia të Turqisë, kryesisht me lojtarë të kampionatit shqiptar. Tendenca e Han për të vazhduar punën e nisur me të rinjtë, do ta bëjë më interesante ndeshjen e tij të parë në stolin kuqezi. Për më tepër, duket se ai do të ketë në dispozicion një tjetër armë në repartin e prapavijës, i cili ka nevojë për rindërtim. Mbrojtësi i Bohumit, Mërgim Mavraj, i cili disa muaj më parë u aktivizua me U20 të Gjermanisë në një ndeshje jozyrtare, duket se ka pranuar të vihet në provë nga Ari Han. Futbollisti është i pajisur me pasaportë shqiptare prej më shumë se një viti, por deri tani kishte refuzuar të aktivizohej me Shqipërinë, duke preferuar të priste një ftesë nga Gjermania. Megjithatë, pas një viti në pankinë te Bohumi, ai është bindur nga drejtuesit e FSHF-së që të veshë fanellën kuqezi dhe si rrjedhojë pritet t‘i bashkohet skuadrës gjatë ditëve të grumbullimit në Shtutgart. Thuajse të gjithë futbollistët do të nisen sot drejt hotelit ku do të grumbullohet Kombëtarja në Shtutgart. Të vetmit që do të vonohen për disa ditë më shumë janë mesfushorët Lorik Cana dhe Klodian Duro. I pari ka një ndeshje miqësore që Olimpiku i Marsejës do të zhvillojë në Marok, ndërsa i dyti është në Qipro, ku sapo ka firmosur një kontratë me skuadrën e Omonias. Dy lojtarët do të mungojnë në ndeshjen stërvitore që është planifikuar të luhet të mërkurën ndaj zviceranëve të Shafhauzenit, por do të jenë të gatshëm për takimin kundër Polonisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›