E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina ndalet dhe qan të vdekurit e saj

Kur ka kaluar një javë nga tërmeti i fuqishëm, Kina ka shpallur tri ditë zie kombëtare, duke filluar nga dje dhe ka mbajtur frymën pezull për tri minuta, si homazh ndaj viktimave. Sipas bilancit të fundit zyrtar janë mbi 71 mijë të vdekurit dhe të humburit: më shumë se 34 mijë të vdekur, mbi 9500 të varrosur nën rrënoja dhe mbi 29 mijë të zhdukur. Bilanci më i fundit ka ardhur nga përgjegjësi më i lartë i provincës Sichuan, Liu Qibao. Mbeten të shumta edhe rreziqet për epidemi mes të mbijetuarve. Sirenat ranë në të gjithë Kinën në orën 14.28 minuta me orën lokale (08.28 tek ne), ekzaktësisht në kohën kur tërmeti me manjitudë 7.9 ballë i shkallës Rihter goditi provincën Sichuan. Presidenti kinez, Hu Xhintao, dhe të tjerë drejtues të Partisë Komuniste janë shfaqur në ekranet televizive gjatë tri minutave të heshtjes, duke nderuar të rënët. Në të njëjtin moment, në sheshin Tienanmen në Pekin, mijëra persona kanë respektuar heshtjen dhe pas saj kanë thirrur "Jetë të gjatë Kinës", "Rroftë Sichuani" dhe "Kurajë Uenchuan" (qyteza në epiqendër të tërmetit). Edhe bursa e Shangait është ndalur për tri minuta. Po ashtu edhe Hong-Kongu. Për të parën herë janë dekretuar tri ditë zie kombëtare pas një katastrofe natyrore. Hera e fundit që në vend u shpall zi, ishte vdekja e Mao Ce Dunit, në shtator 1976. Ndërkohë, në zonat e dëmtuara, po alternohen mrekulli dhe tragjedi të reja. Dje, dy gra u shpëtuan, pasi kishin qëndruar për një javë të bllokuara nën rrënojat e shtëpive të tyre, por për skuadrat e shpëtimit, që luftojnë me kohën për të shpëtuar jetë të tjera, kushtet janë shumë të vështira. Në tri ditët e fundit, mbi 200 pjesëtarë të këtyre skuadrave kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjeve të dheut në provincën Sichuan, ndërsa ishin të angazhuar në riparimin e rrugëve të dëmtuara nga tërmeti i javës së shkuar. Të mbijetuarit jetojnë tani në tenda dhe streha të improvizuara në kushte të vështira dhe autoritetet druhen për ndonjë shpërthim epidemie. I nxehti, por edhe reshjet e rrëmbyera që parashikohen nga dita e nesërme, mund të kontribuojnë në përhapjen e viruseve dhe baktereve në ujë dhe ushqime. Ministria e Jashtme kineze, ndërkohë, u ka kërkuar vendeve donatore të nisin tenda të tjera. Pekini ka autorizuar madje edhe mbërritjen e njësive mjekësore të huaja në Sichuan. Shteti ka akorduar 5.8 miliardë jenë (më shumë se 525 milionë euro) për një fond emergjence. Në të njëjtën kohë, në vend është vënë në lëvizje edhe një makinë e madhe solidariteti: një emision i transmetuar të dielën në televizion, me pjesëmarrjen e artistëve dhe personaliteteve të larta, ka mundur të mbledhë 136 milionë euro për të dëmtuarit. Ndërsa ndihmat e huaja sipas Ministrisë së Jashtme, i kalojnë 900 milionë eurot.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›