"Shpërthen" ksenofobia në Johanesburg, vdesin 22 emigrantë
Janë të paktën 22 persona të vrarë në përleshjet që ditët e fundit kanë shpërthyer në Afrikën e Jugut, teatër i një vale dhune ksenofobe në periferitë e Johanesburgut, ku në shënjestër kanë qenë emigrantët nga vendet fqinje, mbi të gjitha nga Zimbabveja. Lajmi është bërë i ditur nga policia jugafrikane, sipas të cilës, dhjetëra emigrantë që akuzohen se po rrëmbejnë vendet e punës dhe po rrisin kriminalitetin, janë lagur me benzinë dhe u është vënë zjarri. Dhuna ka shpërthyer një javë më parë në Aleksandra dhe është përhapur më pas në Johanesburg, e ushqyer edhe nga mjerimi në të cilin gjenden shtresat më të varfra të përqendruara në periferi. Policia ka qëlluar me plumba gome për të shpërndarë turmat që kërcënonin emigrantët. Por, ka pasur ndërkohë edhe grabitje dhe akte vandalizmi. Presidenti jugafrikan, Thabo Mbeki, ka bërë apel për ndaljen e dhunës që kërcënon të përkeqësojë një situatë ekonomike, që edhe aktualisht është e vështirë, për shkak të inflacionit të lartë dhe ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike. Por, apeli bie në vesh të shurdhër: qindra emigrantë janë strehuar në Komisariatin e Policisë, në kisha dhe në zyrat qeveritare.