Kriza e plehrave, protesta dhe zjarre në Napoli
Zjarrfikësit kanë luftuar me orë të tëra gjatë natës në qytetin italian të Napolit për të shuar dhjetëra zjarret e vëna nga banorët e zemëruar mbi pirgjet gjigante të plehrave. Qyteti është mbuluar nga rreth 3500 ton plehra të pambledhura, të përhapura ngado nëpër rrugë. Ndërkohë, nesër Kryeministri i ri italian, Silvio Berluskoni, pritet të mbajë një mbledhje kabineti në këtë qytet, ku padiskutim do të trajtohet edhe kriza. Silvio Berluskoni ka lënë të kuptohet se ai mund të detyrojë këshillat lokalë të pranojnë hapjen e vendgrumbullimeve të reja të plehrave, pavarësisht kundërshtive. "Unë nuk mund të vazhdoj të pres deri sa gjithkush të bjerë dakord për një marrëveshje, ndërkohë që pirgjet me plehra bëhen male mbeturinash", tha Berluskoni për gazetën italiane "La Repubblica". Javën e shkuar, banorët e rajonit dolën nëpër rrugë, në Napoli, për të protestuar kundër çeljes së vendgrumbullimeve të reja të plehrave dhe impianteve të përpunimit të tyre. Llogaritet që nëpër rrugët e rajonit të Kampanias, të gjenden aktualisht mbi 45 mijë ton plehra, që po bëhen gjithnjë e më shqetësuese. Disa trena të mbushur me mbeturina priten të nisen drejt Gjermanisë. Berluskoni, në mbledhjen e nesërme, pritet të shpallë krijimin e 10 vendgrumbullimeve të reja, ku plehrat mund të përpunohen dhe depozitohen. Ai, madje, mund të nxjerrë edhe ushtrinë nëpër rrugë për të ndihmuar në pastrimin e plehrave të mbetura. Një këshilltar lokal nga Napoli tha se autoritetet lokale po tentojnë të largojnë më shumë se 1 mijë ton plehra në ditë. Ai u kërkoi banorëve të tregohen të durueshëm dhe të mos përpiqen ta zgjidhin vetë situatën, duke u vënë zjarrin maleve me plehra. "Falë kolektorëve shtesë ne do të jemi në gjendje ta kapërcejmë këtë situatë alarmante në katër apo pesë ditë, por njerëzit duhet të bashkëpunojnë", tha Xhenaro Mola, për të përditshmen "Corriere della Sera". "Ata duhet të reshtin së hedhuri qese me plehra nëpër rrugë dhe mbi të gjitha, nuk duhet t‘i djegin ato". Banorët lokalë fajësojnë keqmenaxhimin kronik nga ana e autoriteteve të qytetit dhe përfshirjen e mafies napoletane, "Camorra", në krizën e plehrave. Zyrtarët e shëndetësisë shfaqën të dielën shqetësim në lidhje me pasojat që mund të shkaktonte një situatë e tillë me rritjen e pritshme të temperaturave. Presidenti i Shoqatës së Mjekëve të Napolit, Xhuzepe Skalera, tha se rreziku më i madh për shëndetin e njeriut ishte dioksina, që çlirohet nga djegia e plehrave. Ndërkohë, era në rrugët e Napolit është kaq e keqe saqë vetë qytetarët shprehen se janë të detyruar të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre. Sa për turistët, ata thjesht po qëndrojnë larg qytetit, ndërsa marina amerikane, që ka një bazë në Napoli, po rishikon planet e saj. Kriza e frikshme e plehrave në Napoli dhe në rajonin e Kampanias rreth tij, vjen pas shumë vitesh keqmenaxhimi, por edhe pas përfshirjes së krimit të organizuar në "biznesin" e plehrave. Qyteti, gjithsesi, është aktualisht në një gjendje alarmante dhe sinjalet pozitive për zgjidhjen e krizës janë ende të pakta. E pikërisht për këtë shkak ndërhyn edhe Bashkimi Evropian. "Gjendja sanitare është e rëndë: Italia nuk duhet të presë vendimin e Gjykatës Evropiane për të zgjidhur problemin, por duhet të veprojë menjëherë", ka deklaruar një zëdhënëse e Komisionit Evropian. Ky i fundit ka paditur 6 majin e shkuar Italinë para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, por, sipas zyrtarëve të tij, nuk mund të pritet më gjatë.