Kuqezinjtë kthejnë krenarinë

Kombëtarja e Shqipërisë i ka ringjallur shpresat për t’u kualifikuar në Kampionatin botëror ‘Brazili 2014’.
Vetëm katër ditë pas humbjes shokuese që e pësoi midis Tiranës nga Islanda, skuadra kuq e zi shpejt është këndellur, duke iu rikthyer fitoreve në kuadër të eliminatoreve për Botërorin ‘Brazili 2014’.
Kuqezinjtë të martën mbrëma në kryeqytetin shqiptar kanë shënuar fitore shumë të rëndësishme në Grupin E, duke e mposhtur skuadrën e Sllovenisë me rezultat minimal, 1:0.
Hero i Shqipërisë ishte mesfushori, Odise Roshi, goli i të cilit ia solli tri pikë të reja shtetit 100 vjeçar.
Ekipi i Gianni De Biasit furishëm e nisi ndeshjen. Pas një dominimi të plotë, dhe disa rasteve të mira shënimi, shqiptarët në minutën e 37-të kanë kaluar në avantazh prej 1:0 me golin e bukur që e shënoi me kokë Odise Roshi, kur u shërbye mjaftë mirë nga Vila.
Me këtë rezultat edhe ka përfunduar pjesa e parë, kurse në periudhën e dytë të ndeshjes, kuqezinjtë – të udhëhequr nga ‘super-Roshi’ - e kanë vazhduar dominimin, por nuk ia kanë dal ta realizojnë edhe ndonjë gol tjetër, përkundër rasteve që i kishin.
Por, përkundër përpjekjeve, gol nuk mundën të shënojnë as sllovenët, të cilët ‘shkurt e shqip’ nuk kishin ‘kaçik’ t’ia përmbysnin avantazhin ekipit shqiptar, dhe kështu ndeshja përfundoi me rezultat 1:0, gjë që e kënaqi çdo shqiptar, përfshirë kapitenin e kuqezinjve, Lorik Canën.
“Kjo fitore është shumë e rëndësishme për ne. Kjo pasi ne jemi duke bërë çmos që çdo shqiptar ta bëjmë të ndihet krenarë që është shqiptar”, ka deklaruar kosovari pas ndeshjes.
Duhet theksuar se përballë sllovenëve portieri kosovar, Etrit Berisha e zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare me kuqezinjtë. Portieri i Kalmarit ishte shumë i sigurt para portës kuq e zi, andaj tashmë ai ia rrezikon seriozisht pozitën në formacionin e parë portierit tjetër kosovar, Samir Ujkanit.
Fitojnë Zvicra e pesë shqiptarëve dhe Norvegjia e Berishës e Gashit
Zvicra e Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, Valon Behramit, Blerim Xhemajlit e Admir Mehmedit e ka bërë një hap tjetër të madh drejt kualifikimit në Botërorin ‘Brazili 2014’, ngase e ka shënuar fitoren e tretë në Grupin E. Helvetikët e kanë mposhtur në udhëtim Islandën me rezultat 0:2. Shaqiri, Xhaka e Behrami ishin titullar. Në minutën e 80-të Shaqiri ia ka liruar vendin Xhemajlit, derisa në minutën e 83-të Mehmedi e ka zëvendësuar Gavranovic.
Ndërkohë, në Grupi E, fitore ka shënuar edhe Norvegjia e Valon Berishës e Ardian Gashit si mysafire e Qipros me rezultat bindës, 1:3. Kjo ishte ndeshja e parë zyrtare e Berishës me norvegjezët. Kosovari ka luajtur në 15 minutat e fundit të takimit. Ai është inkuadruar në lojë në minutën e 75-të në vend të Yttergaard Jenssen. Kurse, Gashi është inkuadruar në minutën e fundit të takimit.
Ibrahimi mposht Serbinë
Serbisë iu kanë vështirësuar gjasat për t’u kualifikuar në Kampionatin botëror. Kjo pasi ekipi serb është mposhtur në Shkup nga Maqedonia me rezultat 1:0. Fitoren maqedonasve ua ka siguruar futbollisti shqiptar, Agim Ibrahimi, i cili në minutën e 59-të e ka shënuar golin e vetëm dhe të fitores nga penaltia. Përpos Ibrahimit, për Maqedoninë si titullarë kanë luajtur edhe Hasani e Demiri, por ky i fundit është zëvendësuar në minutën e 86-të.
Grupi E
Rezultatet
Shqipëria – Sllovenia 1:0
Qipro – Norvegjia 1:3
Islanda – Zvicra 0:2
Tabela
Zvicra 4 10
Norvegjia 4 7
Shqipëria 4 6
Islanda 4 6
Qipro 4 3
Sllovenia 4 3