Kuqezinjtë, mes ditëlindjeve dhe stërvitjes
Prag-miqësorja me Azerbajxhanin po përjetohet në një mënyrë të veçantë te kuqezinjtë, të cilët janë akomoduar në "Grand Hotel Europa" të Bakusë. Janë ditëlindjet ato që kanë "plasur" në kombëtare, pasi përveç 60-vjetorit të trajnerit Ari Han, që u festua në aeroportin e Stambollit, dje atmosfera ka vazhduar me urimet ndaj Ervin Skelës. Mesfushori i kombëtares, pikërisht dje mbushi 32 vjeç dhe gëzimin e ndau me kuqezinjtë. Sipas informacioneve nga Azerbajxhani, dy gëzimet e trajnerit Han dhe Skelës kanë krijuar një atmosferë mjaft të ngrohtë dhe pa dyshim me shumë batuta në kampin kuqezi. Të parit i takoi holandezit të kombëtares, që mbushi 60 vjeç. FSHF-ja me në krye presidentin Armand Duka kishin menduar që ta surprizonin trajnerin. Duke qenë se përvjetori i trajneri përkoi me nisjen e grumbullimit të kombëtares, ceremonia e organizuar me kujdes nga shefi i shtypit, Tritan Kokona, e ka lënë të befasuar Hanin. Në një nga restoranet e aeroportit gjigand të Stambollit, ku kuqezinjtë qëndruan tranzit për katër orë, para nisjes për në Azerbajxhan, ka qenë vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili i ka dhuruar një pllakatë argjendi trajnerit Han, ku në të ishte vendosur fotografia e tij. Por pas kësaj ceremonie të shkurtër dhe mjaft të bukur, radhën e kishte Ervin Skela. Një tortë e vendosur në hollin e rezidencës së kuqezinjve, ku nëpërmjet urimeve të lojtarëve dhe stafit teknik, ka emocionuar futbollistin vlonjat, i cili gëzon një respekt të veçantë në ambientin kuqezi.