Rikonstruktohet "Lidhja e Prizrenit"
Fëmijët që banojnë në rrugën e "Barrikadave", (Njësia bashkiake nr.9), do të fillojnë mësimin në një shkollë tërësisht të rikonstruktuar. Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës kanë inauguruar dje ambientet e reja të shkollës "Lidhja e Prizrenit". Me rreth 600 mijë euro nxënësit do të kenë klasa, laboratorë dhe ambiente sportive të reja. "Është rasti për të theksuar se ky proces transformimi rrënjësor i infrastrukturës parauniversitare, është një proces që garanton një të ardhme shumë të sigurt për kryeqytetin, për shoqërinë kryeqytetase dhe një rrezatim të plotë në të ardhmen të kësaj dijeje dhe të këtij edukimi që mund të jepet në këto mjedise", u shpreh kryebashkiaku Edi Rama. Në projektin e rikonstruksionit të shkollës janë respektuar të gjithë parametrat bashkëkohorë, duke e shndërruar atë në një godinë 4-katëshe, me një kapacitet prej 760 nxënësish. Po ashtu, është shtuar numri i klasave që arrijnë në 24, dhe janë krijuar ambientet për 5 laboratorë. Çdo kat është pajisur me ambiente sanitare, si për nxënësit ashtu edhe për stafin pedagogjik. Shkollës i janë bashkëlidhur dy shkallë, një qendrore dhe një sekondare në rast evakuimi.