E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen zjarret, djegin varret

 

VLORE/SARANDE - Disa vatra zjarri dogjën plantacione me ullinj, si dhe qindra rrënjë të tjera dru frutorë në disa fshatra të Vlorës dhe Sarandës gjatë dy ditëve të fundit. Kështu, një zjarr i madh përfshiu dje zonën e Zvërnecit në Vlorë. Flakët rrezikuan seriozisht banesat, por edhe antenat e transmetimit të televizioneve kombëtare dhe lokale që janë vendosur në këtë zonë. Sipas policisë, zjarri nisi dje rreth orës 14.00, ndërsa dyshohet të jetë vënë qëllimisht. Për pasojë, flakët shkrumbuan pemë frutore e ullinj, vreshta e gjithçka që gjente përpara. E favorizuar nga era e fortë flakët dëmtuan edhe një pjesë të varrezave të fshatit Zvërnec. Zjarre gjatë dy ditëve të fundit u regjistruan edhe në disa fshatra të Sarandës. Një zjarr i tillë është regjistruar midis blloqeve të banimit në fshatin Gjashtë. Një tjetër vatër u shënua në Xarrë, ku u shkrumbuan plantacione me ullinj e agrume.     q.b/sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›