E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Skema e qeverisë për kompensimin e bukës, e paqartë”

Flet prof. dr. Ardian Civici, rektor i Universitetit Europian të Tiranës dhe specialist i ekonomisë
Rektori i UET-së, prof. dr. Ardian Civici, në rolin e ekspertit të ekonomisë ka shpjeguar në një intervistë për gazetën “Albania” disa nga mënyrat se si duhet të veprohet për t’u përballur me krizën e çmimeve. Duke e konsideruar këtë krizë si një krizë ekonomike globale, e cila ka shenja që të vazhdojë gjatë, prof. dr. Civici shpjegon se duhet të merren masa nga ana e shtetit për një strategji afatgjatë me qëllim mosthellimin e kësaj krize. Ai e konsideron rritjen e çmimeve në vend, veçanërisht të atyre të artikujve kryesorë të konsumit, përfshi edhe bukën, si një situatë që gjithsesi ka jo pak ndikim të brendshëm. Por prof. dr. Civici shprehet skeptik në lidhje me formën e kompensimit që kryeministri Berisha premtoi tri ditë më parë për qytetarët shqiptarë, duke kërkuar më tepër transparencë për realizimin e saj, e cila deri tani është në kuadër të një premtimi politik.

Sa real do të jetë subvencionimi i qeverisë për kompensimin e çmimit të rritur të bukës?

Qeveria ka bërë vetëm një premtim. Tani mbetet për të parë se çfarë ligji do të përdorë për këtë apo çfarë sistemi kompensimi do të përdorë dhe se sa do të realizohet ai. Duhet parë me kujdes se si do të konkretizohet kompensimi, mënyrat se si do të përdoret mekanizmi për këtë kompensim, shtresat që do të prekë ai, fondi që do t’i duhet qeverisë për ta bërë një gjë të tillë, se ku do t’i gjejë paratë për këtë, si dhe detaje të tjera të realizimit të këtij kompensimi, pasi kjo është një praktikë që e kanë përdorur edhe vende të tjera të botës dhe njihet gjithandej, por mënyra e bërjes reale të saj ka mjaft rëndësi. Për këtë them që kompensimi në vetvete është një ide pozitive, por mekanizmi që do të përdoret për realizimin e tij ka mjaft rëndësi dhe mbetet për t’u parë.

A do të kemi një ulje të çmimeve të artikujve të konsumit në rast të aplikimit të masave antispekulim dhe sa mund të jetë e realizueshme kjo ulje?

Në Shqipëri deri tani verifikohen dy tendenca. E para vjen nga rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar që nuk po ndodh vetëm në vendin tone, por në shumë vende të botës. Tendenca e dytë është se ne akoma nuk e kemi ndarë se sa për qind e kësaj rritjeje ekonomike vjen nga tregu botëror dhe sa për qind e saj vjen nga shtrenjtimi i artikujve apo spekulimi në vend me çmimet. Për këtë duhet të studiojmë dhe mundësinë e krijimit të monopoleve si dhe të verifikojmë në vend se nga hyjnë lëndët e para, ushqimet, sa e ka koston prodhimi i bukës dhe si shitet ajo, me qëllim që më pas nëse verifikohet se ka spekulime në vend me çmimet ose është vetëm ndikimi i importit, të bëjmë më pas marrjen e masave për parandalimin ose zbutjen e saj. Në të dy drejtimet mund të merren masa.

Mendoni se realisht në vend ka spekulime me çmimin e bukës pasi një pjesë e tregtarëve e shesin atë akoma me 60 lekë, ndryshe nga pjesa tjetër me 100 apo 120 lekë?

Në pamje të parë duket se kemi të bëjmë edhe me spekulime në treg nga ana e tregtarëve vendas. Por ekonomia e tregut i njeh edhe rastet e tilla kur një tregtar e shet produktin e tij (në rastin tonë bukën) me çmim të ulët për arsye se do të mbajë klientelën e tij ose për të mos falimentuar duke e mbajtur çmimin nën kosto ose të barabartë me koston e produktit. Por megjithatë duke ndjekur shembullin e vendeve të rajonit, si Maqedonia, Kosova, Mali i Zi apo dhe Serbia, ne duhet të ishim treguar më të vëmendshëm përballë këtij fenomeni, duke e kapur që më parë e duke mos lejuar spekulimet në treg dhe duke mbajtur fort nën kontroll produkte të rëndësishme apo jetike siç është në këtë rast çmimi i bukës.

Jemi aktualisht në një krizë rajonale, botërore, apo kjo po ndodh vetëm me ne?

Më tepër se krizë, ky është një problem i madh botëror. Faktikisht në të gjitha bursat e botës ka një tendencë të rritjes së të gjitha çmimeve dhe jo vetëm të çmimeve të drithrave apo vetëm të grurit, por të të gjitha çmimeve të produkteve agroushqimore. Kjo vjen nga një problem që quhet defekt strukturor, pasi në vitet e fundit këtij tregu ndërkombëtar iu shtuan një numër mjaft i madh konsumatorësh të Kinës dhe Indisë, të cilët janë mbi 2 miliardë banorë. Po ashtu, bashkëngjitur me këtë ishin dhe problemet e shumta klimaterike të vitit 2007 dhe vendimet e politikave agrare europiane dhe amerikane për të ulur sasinë e stogjeve strategjike që krijuan një mospërputhje midis kërkesës dhe ofertës gjatë vitit 2007 e cila verifikohet edhe këtë vit. Pra, problemi po ndodh në të gjithë botën, por çështja është se sa do të jemi ne të aftë, që përveç masave imediate për 3 ose 6 muaj, apo edhe për një vit për ta frenuar këtë fenomen, të mund t’i përgjigjemi për një periudhë kohe më afatgjate kësaj krize.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›