Kapiteni Kuli: Dinamo edhe arbitrat kishte mangët
Sipas liderit blu Bekim Kuli, blutë kërkojnë përkrahje në këto momente të vështira që po kalojnë dhe jo luftë dhe debate pa vlera
Dinamo ka pësuar humbjen e dytë në tri sfidat e para të kampionatit. Dinamovitët në fushën asnjanëse të Lushnjës janë mundur nga Tomori i Beratit. Në fakt, trajneri Faruk Sejdini ka ngritur zërin për padrejtësi të nisura nga dhuna psikologjike e tifozerisë beratase, e cila ka hedhur edhe sende të forta dhe ofendime në kor.
Por në këtë linjë mendimesh është edhe kapiteni Bekim Kuli, i cili duket tepër i ofenduar. Kuli ka disa vite që luan futboll në Shqipëri, është një nga lojtarët më popullorë, i cili gjithnjë është tepër i lidhur me grupin dhe tifozerinë blu. Tepër i irrituar në përfundim të seancës së djeshme nr.10 i bluve analizon humbjen, ai pranon gabimet e Dinamos, por në krahun tjetër kërkon drejtësi.
Tomori Ishte një ndeshje e vështirë. Ne i kishim marrë masat që do të kishim edhe presion nga ana e kundërshtarit. Tomorin e vlerësojmë si ekip, por duhet të dini se ndikuan disa faktorë në humbjen tonë. Sigurisht, ne i marrim përsipër gabimet tona, por në krahun tjetër smund të rrimë gojëkyçur dhe të mos vëmë në dijeni opinionin sportiv për atë që ndodhi në Lushnje.
Unë sjam natyrë që frikësohem, i pranoj sfidat, por kur nga tribuna fluturojnë shishe birre, tulla, bidonë plastikë, e të tjerë, a mund të quhet një ndeshje kur të fitojë më i miri? Të jeni të sigurt që kanë ndikuar edhe këto aspekte. Gjithsesi, nuk po mënjanojmë përgjegjësinë tonë për fajin.
Gjykimi: Arbitri i sfidës gjithashtu është treguar i njëanshëm në vendimet e tij. Me të vërtetë ai ndëshkoi 2 herë me kartonin e verdhë Shametin, por në krahun tjetër mbajti tërësisht kundër nesh. Ai dha një 11-metërsh të paqenë dhe më pas nuk akordoi një të tillë në favorin e Dinamos, kur Shtini u fut bukur brenda zonës së rreptësisë dhe aty Krasniqi e ka shtyrë me të dyja duart.
Të gjithë e panë shumë mirë, por Sokol Çekaj përtonte të vërshëllente. Mund të kishim barazuar në atë moment dhe ndeshja do të kishte tjetër vlerësim në këto momente që po flasim.
FSHF Në këtë moment të vështirë që po kalojmë, mirë që jemi pa fusha, pa dhoma zhveshjes, pa shumë pjesë që i nevojiten infrastrukturës sportive, por edhe vendimet e gjyqtarit na duhen kundër. Gjithnjë këta të fundit dalin pa mëkate, ndërkohë që ne futbollistët, nëse gabojmë, duhet të vuajmë dënime të ndryshme. Kush i monitoron gabimet e tyre?
Nuk kam pse e zgjeroj problemin, gjithçka lidhet me gjykimin e kryesorit Sokol Çekaj, ai na masakroi. Politika në njërin krah, e probleme të ndryshme që po e luftojnë Dinamon, po as Federata Shqiptare e Futbollit nuk po na siguron garë të ndershme.
Ne nuk duam favorizime, por të paktën këta njerëz që janë pranë futbollit me slloganet e tyre: Mbaje topin afër zemrës, e të tjera, të na sigurojnë një garë të ndershme. Nëse ky është respekti i tyre për Dinamon, atëherë mund të vlerësohet me 0 (zero),- shprehet për Sportin shqiptar kapiteni Bekim Kuli, i cili njihet për mënyrën e tij të drejtpërdrejtë të deklaratave të tij.
Blutë, Kupa ndaj Vlorës luhet në Kamzë
Dinamovitët pritet të luajnë sot ndeshjen e kthimit e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, përballë Vlorë. Takimi i parë është fituar në tavolinë nga ana e dinamovitëve, pasi ndeshja nuk është zhvilluar për probleme në stadiumin Flamurtari. Pritet që ndeshja e kthimit të japë më tepër hapësira për elementët e rinj, të cilët nuk kanë gjetur hapësirat e duhura gjatë kampionatit. Takimi do të startojë në orën 15:30.
Arifaj, probleme në këmbën e majtë
Mesfushori i Dinamos, Besim Arifaj, është stërvitur disi i mënjanuar nga grupi. Ai është parë të mbajë akull në këmbë dhe, teksa dukeshin hematomat nga goditjet e forta që kishte marrë, ish-futbollisti i Flamurtarit deklaroi: Më kanë goditur të gjithë me radhë, se mora vesh cili nga lojtarët e Tomorit ma ka bërë këtë dhuratë. Por shikoni tani këmbën timë si është nxirë. Po të mos kisha pasur palestrina edhe mund të më ishte thyer fare.
