E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi dëshiron të largohet nga Swansea

Prishtinë, 31 gusht - Sulmuesi kosovar Shefki Kuqi dëshiron të largohet nga skuadra uellsiane, Swansea City. Reprezentuesi i Finlandës nuk është i kënaqur me minutazhën dhe për këtë arsye dëshiron të largohet nga skuadra e kategorisë së dytë angleze. 33-vjeçari Kuqi ka luajtur vetëm në dy nga katër takimet e para të edicionit 2010/2011 të kategorisë së dytë angleze. Në të dy takimet ishte zëvendësues. Në gara të kupës ka realizuar dy gola në dy ndeshje. Afati kalimtar në ligat evropiane përfundon të martën (sot).

"Nëse më vjen ndonjë ofertë serioze nga ndonjë klub do të largohem nga Swansea pa u menduar dy herë. Nuk jam i kënaqur me minutazhën që po më ofron trajneri i ri Brendan Rodgers. Meritoj të luaj titullar, pasi jam në formë të mirë. Në stërvitje gjithmonë jap maksimumin për t'i treguar trajnerit se ende mund të shënoj gola dhe t'i ndihmoj skuadrës të arrijë rezultate pozitive", ka thënë Kuqi të hënën për gazetën.

Edhe mediat angleze kanë shkruar të hënën se Kuqi mund të largohet nga Swansea. Trajneri i kësaj skuadre synon të përforcojë skuadrën me sulmues të Premier Leagues. Sipas mediumeve angleze, për Kuqin janë të interesuara disa skuadra të kategorisë së tretë.

Kuqi në Swansea kaloi në janar nga Koblenzi. Ai u transferua nga trajneri Paulo Sousa që muajin e kaluar mori drejtimin e Leicester Cityt.

"Të pakënaqur me trajnerin e ri janë edhe shumë futbollistë të tjerë. Trajneri i ri ka sjellë disa lojtarë dhe po i favorizon ata. Kam pasur biseda me disa skuadra këtu në Angli, por konkrete deri më tani nuk ka asgjë. Deri të martën do të vendoset nëse do të largohem apo do të mbetem deri në afatin e janarit", ka shtuar Kuqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›