E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamdi Salihi titullar, Rapidi kualifikohet

Europa League

Hamdi Salihi është aktivizuar prej minutës së parë në ndeshjen e kthimit, të vlefshme për turin e tretë të Europa League, që Rapidi i Vjenës fitoi me rezultatin 3-0 kundër Bullgarëve të PFC Beroe Stara Zagora. Skuadra e drejtuar nga Peter Pakult kualifikohet në këtë mënyrë për në turin tjetër, atë të ndeshjeve “play-off”, me rezultatin e përgjithshëm 4-1. Rapidi nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim fitoren dhe kualifikimin në takimin e zhvilluar dje në stadiumin “Gerhard Hanapi” të kryeqytetit austriak. Vendasit e zhbllokuan rezultatin vetëm pas katër minutave lojë, me Jelaviç që ka devijuar drejt rrjetës një harkim nga krahu. Vjenezët mbyllën praktikën në 45 minutëshin e dytë të takimit, me rrjetat e Jelaviç (60’) dhe Katzer (71’). Hamdi Salihi qëndroi në fushën e lojës për 79 minuta. Në fakt, kur Rapidi siguroi fitoren, trajneri Pakult vendosi ta zëvendësonte sulmuesin e Kombëtares shqiptare me Gartler. Ky i fundit ishte në balotazh me shkodranin 26-vjeçar deri në momentet e fundit, por më pas Salihi u zgjodh si sulmues i dytë, për të luajtur pas shpinës së Jelaviç. Në çastet e fundit në fushën e lojës për skuadrën nga Vjena u aktivizua edhe sulmuesi kosovar i cili përfaqëson Austrinë, Atdhe Nuhiu. Tashmë Rapidi pret që të mësojë kundërshtarin e ndeshjeve “play-off”, që do të luhen më 19 dhe 26 gusht.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›