E Hënë, 2 Nëntor 2026

Patushi e Sinani, “viktima” të Disiplinës

05/05/2005  “Viktima” të Komisionit kanë qenë futbollistët, Patushi (1 ndeshje pezullim dhe 300 mijë lekë gjobë) dhe Sinani (2 ndeshje pezullim)

Dy nga futbollistët e Ligës Superiore, pikërisht Sajmir Patushi dhe Viorensin Sinani, kanë qenë “viktimat” e Komisionit të Disiplinës. Anëtarët e këtij komisioni i kanë gjykuar të parregullta dhe jo sportive, veprimet e këtyre dy lojtarëve, gjatë ndeshjeve përkatëse të javës së 33-të të këtij sezoni, në elitën e futbollit shqiptar. Dhe për këtë arsye i ka ndëshkuar ata. Mesfushori i Tiranës, Sajmir Patushi, tashmë do t’i duhet të paguajë një gjobë prej 300 mijë lekësh të reja dhe sulmuesin e Vllaznisë, Vioresin Sinani, dënuar me dy ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik. Në fakt, gjatë ndeshjes së të shtunës në ndeshjen derbi, mes Tiranës dhe Partizanit, Patushi u përfshi në një duel shumë interesant me të riun e Partizanit, Bakaj. Ka qenë pikërisht i riu i të kuqve, ai që ka ndezur rivalitetin mes tyre, me ndërhyrjet e tij për të bllokuar mesfushorin bardheblu. Por në një moment, situata ka dalë “jashtë kontrollit”, pasi Patushi do të bënte një gjest antisportiv, i cili do ta bënte këtë rivalitet, edhe një nga çështjet e Komisionit të Disiplinës. Ky komision ka shfrytëzuar provat filmike dhe relacionin e gjyqtarëve dhe pas shqyrtimit të këtyre provave kanë arritur në përfundimin e hidhur. Eshtë gjobitur me shumën e mësipërme, futbollisti i kryesuesve të kampionatit, Sajmir Patushi, për sjellje jokorrekte ndaj kundërshtarit, e vërejtur kjo në takimin e fundit kundër Partizanit. “Futbollisti i Tiranës, Sajmir Patushi, për sjellje jo korrekte me kundërshtarin pezullohet një ndeshje dhe dënohet me 30.000 lekë të reja gjobë”, thuhet në njoftimin e publikuar dje në internet, në faqen e FSHF-së. Një dënim me dy javë mosaktivizim me skuadrën, ka marrë edhe sulmuesi i Vllaznisë, Vioresin Sinani. Golashënuesi shkodran ka marrë karton të kuq në takimin e fundit, kundër Elbasanit, një minutë pasi skuadra portokalli kishte shënuar golin e fitores. Këto ishin dhe dy nga vendimet më të shumëpritura nga mbledhja e djeshme e Komisionit të Disiplinës. Por, nuk kanë qenë ato çështjet e vetme, të diskutuara në këtë mbledhje, ku janë shqyrtuar të gjitha anomalitë e javës së fundit, në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar. Dënimet e tjera, pas ndeshjeve të fundjavës i përkasin kategorive më të ulëta dhe atyre të moshave.

Vendimet e Disiplinës:

1. Ekipi U-19 i Tomorrit, për mosparaqitje në ndeshjen Pogradeci-Tomorri, e humbet ndeshjen 2-0 dhe i hiqen tri pikë nga klasifikimi.

2. Futbollisti i Tiranës U-17, Amarildo Kruja, për goditje me qëllim të kundërshtarit në ndeshjen, Tirana-Laçi, dënohet tre muaj pezullim nga aktiviteti futbollistik dhe 5000 lekë gjobë.

3. Futbollisti i Dajtit, Gerti Zorba, pezullohet katër ndeshje nga aktiviteti, për ofendim të publikut në ndeshjen, Cakrani-Dajti.

4. Futbollisti i Dajtit, Erjon Bajro, për kundërshtim të arbitrit pezullohet katër ndeshje nga aktiviteti.

5. Futbollisti i Tiranës, Sajmir Patushi, për sjellje jokorrekte me kundërshtarin pezullohet një ndeshje dhe dënohet me 30000 lekë gjobë.

6. Futbollisti Vioresin Sinani, për mosbindje ndaj vendimit të arbitrit, i pezullohen dy javë nga aktivitetet futbollistike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›