Kur Zamir Shtylla merrte dekoratë nga Feçor Shehu
Hetuesi i njohur i Rrethit të Beratit vlerësohej për zhvillim të vendosur të luftës së klasave
Nuk kishte thënë kot partia, “djalë i zot e vendosur për të goditur armiqtë ky Zamir Shtylla”. Jo më kot, partia kishte menduar ta dekoronte, pasi ai kishte goditur shumë armiq e tradhtar për “agjitacion e propagandë”. Ai jetonte në kohën e artë kur Hetuesia ishte një drejtori e fuqishme e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e më pas kur kjo varësi do të ishte edhe më e thellë. Ishte 40-vjetori i themelimit të partisë, për të cilën kishte punuar e luftuar aq fort shoku Zamir. S’kishte lënë armik klase pa goditur. Dhe natyrshëm në gjoksin e tij vihej dekorata.
Më 9 korrik 1981 Komiteti i Partisë i Rajonit të Qytetit Stalin, organizonte një ceremoni me rastin e dekorimit nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të disa punonjësve e ushtarakëve me rastin e “ruajtjes së rendit shoqëror” dhe “vigjilencës së lartë” të treguar. Kishin nderuar në këtë rast shoku Feçor Shehu (ministër i Punëve të Brendshme), kryetari i degës së Punëve të Brendshme Berat - Pëllumb Kapo, sekretari i organizatës bazë të kësaj dege – Zylyftar Mahmutaj (përndryshe Ramizi), shefja e Komitetit të PPSH-së Berat – Mine Guri, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit – Dhimitër Brisku, etj. Në fakt emrat e këtyre të fundit, nuk kishin ndonjë rëndësi të madhe por më së shumti i themi për t’i kujtuar atë ditë shokut Zamir.
Për çfarë mund të dekorohej tjetër një hetues i diktaturës komuniste? Bujku dekorohej për tokën që punonte. Punëtori për ato që prodhonte në fabrikë e uzinë. E kështu me radhë. Po Zamiri për çfarë u dekorua në Rrethin e Beratit.