PS-LSI refuzojnë ftesën e Petro Koçit për bashkimin e së majtës për zgjedhje

Islami: Secili të masë forcat e veta. Xhufi: Pas zgjedhjeve bashkëpunim me kushtet tona
Bashkëpunimi parazgjedhor i së majtës duket përherë më larg. Rivaliteti brenda të njëjtit kamp si dhe mëritë e akumuluara së fundmi nga debati i fortë për reformën zgjedhore ka bërë që dy partitë kryesore të së majtës të shpërfillin apelin e Petro Koçit për mundësinë e ndërtimit të një ure të re bashkëpunimi.
TIRANE - Bashkimi parazgjedhor shihet tashmë si një “mëkat” të cilin protagonistët kryesore të së majtës nuk duan që të mbajnë mbi shpinë. Kësisoj dje i ka takuar kryetarit të Partisë Socialiste 91 Petro Koçi që të lëshojë i vetëm apelet për bashkimin e së majtës siç shprehet ai “në emër të fitores në zgjedhjet e qershorit”.
Në deklaratën e tij Koçi shprehet optimist për rezultat fitues edhe pse sipas tij duhen kapërcyer një sërë pengesash të prodhuara sipas tij nga pazaret Rama-Berisha.
Për kreun e PS 91 “fitorja bëhet edhe më e garantuar nëse rivendoset dialogu mes dy koalicioneve të majta që do të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme”.
Megjithatë si fillim të këtij bashkëpunimi Petro Koçi propozon diçka që nuk është më në axhendën e lidershipit socialist dhe që është rishikimi sërish i Kodit Zgjedhor që shihet nga drejtuesi i PS 91 si një “zgjidhje mirëkuptimi për formulën e përbërjes së komisioneve zgjedhore”. Vetë kryesocialisti Edi Rama ka bërë shumë herë të ditur se për të çështja e Kodit Zgjedhor është një kapitull i mbyllur duke lënë kështu të kuptohet se cilado forcë që kërkon të bashkëpunojë më Partinë Socialiste duhet që të pranojë kushtet e kësaj të fundit dhe jo e kundërta.
Ftesa e Koçit ka marrë po dje refuzimin e dy lidershipeve të PS dhe LSI.
Kur nga zgjedhjet e qershorit kanë mbetur dhe 6 muaj, PS-ja duket më se vendosur që të shmangë negociatat parazgjedhore me forcat e tjera të së majtës. Sekretari për Çështjet Elektorale në selinë rozë, Kastriot Islami, deklaroi dje se Kodi i ri Zgjedhor është ai që “do masë pulsin e secilit subjekt politik”.
“Të shmangim maksimalisht tavolinat e negociatave paraelektorale. Fakti që ato kanë qenë të ndara nëpërmjet këtij sistemi, eliminohet në mënyrë të konsiderueshme, nuk eliminohet krejtësisht. Por efekti i paraqitjes bashkë apo jo, apo në koalicion të përbërë, ka efekte jo aq të mëdha sa në sistemin e mëparshëm”, tha Kastriot Islami.
Drejtuesi socialist shtoi se Kodi i ri Elektoral nuk do të lejojë ripërsëritjen e skenarit të 2005, ku e majta humbi zgjedhjet si pasojë e përçarjeve brenda saj.
“Krahas konkurrimit me kundërshtarin, që është Partia Demokratike kryesore, vazhdon konkurrenca e brendshme midis lojtarëve në koalicion të përbërë për të maksimalizuar suksesin e secilës anë”, vijoi ai.
Ndërkaq për sa i përket infrastrukturës së zgjedhjeve, Islami deklaron se Partia Socialiste do të nisë procedurat për seleksionimin e kandidaturave për komisionerë të KQZ, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve nga ana e kreut të shtetit.
Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim përmes zëvendëskryetarit të saj, Pëllumb Xhufi, deklaroi dje se një bashkëpunim i mundshëm mes dy koalicioneve të së majtës do të jetë vetëm pas zgjedhjeve dhe në këtë rast sipas kushteve që do të vendosë vetë LSI-ja.