Ministria e Jashtme e Shqipërisë u bën apel qytetarëve të Kosovës të ruajnë qetësinë për të shmangur çdo provokim

Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Jashtme e Shqipërisë konfirmon se po ndjek me vëmendje të veçantë situatën në Mitrovicë.
Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me vëmendje të veçantë situatën në Mitrovicë, pas incidenteve të ditëve të fundit atje dhe bashkohet me apelin e institucioneve të Kosovës, drejtuar qytetarëve të saj për të ruajtur qetësinë dhe shmangur çdo provokim. Në një njoftim për mediat nga zyra e shtypit pranë MPJ-së, bëhet e ditur se Ministri i Jashtëm, Basha është në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë homologun kosovar, Skënder Hyseni dhe Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi. "Ministria e Jashtme shpreh bindjen se Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i janë të përkushtuar, të gatshëm dhe të aftë të përgjigjen ndaj çfarëdo kërcënimi që mund t’i bëhet sigurisë së Kosovës", thuhet në njoftimin për shtyp. Duke vlerësuar lart bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in, Ministria e Jashtme e Shqipërisë përshëndet angazhimin e këtyre të fundit për të mos lejuar asnjë lloj dhune në Kosovë dhe për të parandaluar çdo incident të mundshëm. "MPJ përshëndet angazhimin e këtyre institucioneve për të siguruar funksionimin e institucioneve legjitime të saj, në gjithë territorin, përfshirë veriun e Mitrovicës, pasi vetëm kështu garantohet ndërtimi i një Kosove demokratike e paqësore, si kusht vendimtar për stabilitetin afatgjatë në Ballkan", përfundon njoftimi për shtyp i MPJ-së
...