E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini ngre një Komitet Idesh - kopja politike shërben për të shmangur të vjetrit

Plagjiatura flagrante nuk e shqetëson kreun e PS-së. Edhe pse pa sukses, ai ka ngarkuar një grup hijenash politike, që me disa shegertë të rinj, sipas parimit “përtej së majtës e së djathtës”, të rekrutojnë pagatorë idesh, të cilët do ta ndihmojnë ta spastrojë partinë nga të vjetrit

Tmerri i afrimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare po e detyron Edvinin të shndërrohet në një shembull të qartë plagjiature, tashmë jo veç në fushën artistike e sportive, por edhe në politikë. Fillimi i 2009-s ka nisur me një fushatë rekrutimesh të njerëzve të profilit të lartë civil, të cilët, sipas një logjike tregtare, duhet ta nxjerrin opozitën nga shterpësia e ideve, si shpërblim për shpalljen e tyre “anëtarë të Komitetit të Ideve”. Plagjiatura me KOP-in që shpalli lidershipi i Partisë Demokratike përpara zgjedhjeve parlamentare të 2005-s është ashiqare, por një analizë e hollësishme e praktikës prej hijenash e çakenjsh që po ndjekin ylberistët e Edvinit, e përcjell disi më larg imoralitetin e një nisme të tillë politike. Për daljen nga shterpësia e ideve janë thirrur shegertë të rinj, për të cilët ndoshta do të meritohej një investigim edhe më i thellë se si ata i janë afruar plevicës së politikës, por në pamje të parë, duket sheshit se plagjiatura nuk do të mund ta nxjerrë opozitën nga halli. Gjithsesi, mund të thuhet se rekrutimet e shegertëve dhe të shegertëve të shegertëve të shegertëve, po ndodhin sipas parimeve “përtej së majtës e së dajthtës”, një përpjekje që synon të shmangë shkretëtirën e burimeve njerëzore, por edher që të përshpejtojë ndryshimin e kastës politike në PS. Edhe emërtesa është krejt plagjiaturë, megjithatë është disi më përparim sesa “fabrika e ideve” apo “ofiçina partiake”, emrat jozyrtarë që kishte zyra ku mblidheshin e priteshin shegertët e rinj të Edvinit.
    Që në zanafillë, komiteti i Edvinit nuk po funksionon, prandaj edhe në mjediset e selisë po shtohet gjithnjë e më tepër ankthi se rekrutimet e këtij dimri s’e ndalojnë dot dështimin e paralajmëruar të verës. As shegertët e rinj, as metodat okulte e as hiletë ylberiste nuk po mundin të shtojnë radhët e asambleve e të komiteteve të reja që po ngre Edvini. Por të paktën, dekonspirimi i idesë së rekrutimeve të reja të Ramës mund të shërbejë si një kambanë e fundit alarmi për disa prej të vjetërve të PS-së, të cilët ende ushqenin shpresa se kryetari i partisë gjithsesi nuk do t’i hidhte në koshin e politikës e do t’i kandidonte për në zgjedhjet e ardhshme. Fakti është se shegertë të rinj po enden pranë hijenave të Asamblesë së partisë e nëse rekrutimet funksionojnë disi, janë disa tradicionalistë të tjerë që duhet të lëshojnë vendin, për opozitën e re të Edvinit, pas 2009-s, merret vesh, që tashmë veç në parlament.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›