E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijojnë të mbeten të bllokuar nga dëbora zonat malore të qarkut të Shkodrës

Zonat malore të Qarkut të Shkodrës vazhdojnë të jenë edhe sot të bllokuara nga dëbora. Megjithëse në qytetin e Shkodrës moti sot është përmirësuar në krahasim me dy-tri ditët e mëparshme, disa nga zonat malore të qarkut, vazhdojnë të jenë të bllokuara. Burime nga Shtabi i emergjencave civile, i cili kryesohet nga prefekti Maxhid Cungu, bënë se sipas informacioneve të fundit që janë marrë nga njësitë vendore të zonave të thella malore, vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët rurale në rrethin e Malësisë së Madhe, Tamarë-Vermosh, Bogë-Theth, Prekal-Mali i Shoshit.  Edhe në rrethin e Pukës, akset rrugore Pukë-Qelez dhe Kryezi-Iballë, janë krejtësisht të bllokuara nga dëbora dhe sidomos për shkak të ngricave të ditëve të fundit. Prefekti Cungu bën të ditur se rrugët nacionale të Qarkut, ato Mjedë-Pukë-Fushë Arrës-Qafë Mali-Kukës, Mjedë-Koman, Qafë Mali-Fierz, Ura e Gjolulit-Velipojë dhe Ura e Bunës-Muriqan, janë të kalueshme, po për shkak të dëborës së ngrirë, lëvizja e automjeteve duhet bërë vetëm me zinxhirë. Sipas tij, në zonat me më shumë probleme  vazhdon puna me mjetet borëpastruese si dhe hedhja e skorjeve.  Të njëjtat burime bëjnë të ditur se policia ka marrë masa për kontrollin rrugor dhe efektivat e policisë rrugore janë të pranishëm në të gjitha akset, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të ndërgjegjësuar drejtuesit e automjeteve që të   shmangen aksidentet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›