E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur banditët tallen me drejtësinë edhe në sallat e gjyqit

Javën që shkoi, më 28 maj në mesditë, Gjykata e Krimeve të Rënda u blindua nga forca të shumta policie. Ishte seanca e 79-të e bandës së Durrësit. Të gjitha të dështuara. Të gjitha të kthyera në farsa të shëmtuara të drejtësisë shqiptare. Dhjetëra forca të armatosura deri në fyt të repartit special "Brisk", të "sforcuara" nga përgjegjësia se mos dikujt prej të prangosurve i bëhej atentat, futën një nga një në sallë personazhe të njohur të krimit. Pas tyre i veshur me antiplumb e skafandër në kokë, mbërriti edhe një "tradhtar" ose "i penduar" i drejtësisë, Adriatik Coli. Akuza ka dy vjet në pritje të bërjes së një seance normale, ku duhet të dëshmojë "asi" që ajo ka në dorë. Por të gjitha dështojnë. Edhe pse në pranga dhe prapa hekurave, ata kanë arritur të luajnë me drejtësinë. Madje të tallen hapur. Nuk ka gjyq. S‘ka seancë të rregullt, ku të lexohen akuzat pa fund dhe të thirren dëshmitarët. Avokatët e tyre janë gjithmonë "të sëmurë", jashtë shtetit, ose në ndonjë gjyq tjetër. Paraqesin sistematikisht raporte mjekësore gjithfarë llojesh. Madje të lëshuar edhe nga pediatri. Ju ka ngelur vetëm "ditë-pushim" prej gjinekologut. Trupi gjykues i pranon të gjitha këto, prokurorët heshtin, avokatët gëzojnë e marrin shpërblimin, kurse Ministria e Drejtësisë bën sikur s‘ndodh gjë. Ka ulur kokën.

Por ditën e enjte farsa "doli nga binarët". Anëtarët e bandës u zemëruan. Madje u tërbuan, sepse pas 78 dështimesh, më në fund institucioni i drejtësisë vendosi të funksiononte. Gjyqi nisi normalisht. "I penduari" do rrëfente bëmat e bandës ku kishte qenë vetë pjesëtar prej vitesh. Por brenda pak sekondave, gjithçka u kthye në kaos. Ata që akuzohen për shumë vrasje, nisën të kërcënojnë gjyqtarët e prokurorët "me plumb ballit". U sollën jo sikur ishin ata të ulur në bankën e të akuzuarit për dhjetëra krime, por si zotër të "shtëpisë". E njëjta situatë vazhdon për muaj me radhë edhe në gjyqin e një organizate tjetër kriminale po kaq famëkeqe, atë të "Bandës së Lushnjës". Janë dhjetëra miniprocese ku kjo komedi përsëritet çdo ditë. "Fajin e kanë avokatët"... Cilët avokatë? Ata që e hanë drekën e pasgjyqit me prokurorin dhe gjyqtarin? Por nëse avokatët mashtrojnë, falsifikojnë, shkelin rregullore e procedura, pse nuk penalizohen? Ashtu siç ua kanë dhënë licencën, ashtu mund t‘ua heqin. Banditët po tallen hapur me drejtësinë. Duket sikur e kanë në xhep një pjesë të saj. Mirë Ministria e Drejtësisë që ka kohë që "fle" duke lejuar degjenerimin e dhjetëra seancave, po Këshilli i Lartë i Drejtësisë ku është?!

"Antikrimi kulturor", jo ide, por domosdoshmëri

Vetëm pak ditë më parë, ministri i ri i Kulturës, zoti Turku, shpërndau lajmin vërtet të madh që më në fund pas 18 vitesh "Koka e Zeusit", grabitur në vitin 1991 në muzeun e Butrintit, u kthye në atdhe. Për t‘u përgëzuar ky operacion, edhe pse kryevepra u ble nga shteti ynë për 20 mijë euro, një shumë kjo më e madhe se ajo e shitjes së saj në ankand për rreth 12.5 mijë sterlina (të mos harrojmë se ishte vepër që na ishte vjedhur) në vitin 1996 në Londër. Gjithsesi, shqetësimi që duam të ngremë sot te "Përtej Lajmit" është brenda, por edhe përtej misterit kriminal që përmban historia 18-vjeçare e kësaj kryevepre botërore të antikitetit.

Në fillim të viteve ‘90, Shqipërinë "e virgjër" e mësynë gjithfarëlloj kategorish njerëzish që zbarkuan për të bërë biznes, të pastër e të pistë. Shumë prej tyre shpresonin që pas zbulimit të "Amerikës" mu në zemër të Evropës, të bëheshin të pasur duke shfrytëzuar këtë treg të ri mallrash dhe njerëzish. Mes asaj lukunie, pa bujë, modestë, me aureolë profesorësh (por edhe të maskuar si biznesmenë), mbërritën edhe gjahtarët e veprave të artit të trashëgimisë kulturore të vendit tonë dhe veçanërisht të piketuar ndaj antikuareve. Të gjithë i mbajmë mend. Më të shumtit vinin nga Greqia dhe Italia dhe jo më kot, sepse kulturat e këtij pellgu janë të kolapsura në mijëra vite. Porosisnin dhe blinin gjithçka. Monedha të vjetra, amfora, koka skulpturash romake e greke, ikona, kama, ora, veshje të rralla popullore… gjithçka për pak lireta e dhrahmi. Ishin të mirinformuar, të uritur për ato "copa guri dhe qeramike" dhe paguanin në dorë. Gjithçka bëhej hapur dhe lirshëm, njësoj si pazari i shkëmbimit të valutës te qendrat e kambistëve, vende ku edhe lulëzoi atëherë tregtia e qofteve dhe byrekëve. Pasi mbaroi grabitja e gjithë muzeve prej njerëzish "nga brenda" e "nga jashtë", guximi i trafikantëve të veprave të artit arriti deri aty sa ata, të organizuar më së miri edhe me mjetet e duhura në dispozicion, nisën ekspeditat e gërmimit, veçanërisht në zonat e certifikuara si ngulmime të qytetërimeve antike në vendin tonë. Kjo është një temë e gjatë, që kërkon një investigim të vërtetë, sepse sikur vetëm "majën e ajsbergut" të rrëfesh, lemerisesh nga fakti se si kemi vjedhur dhe shitur fare lehtë dhe lirë identitetin tonë historik. Dhe gjithçka ende të paktën s‘ka autor.

Por të rikthehemi te tema: Përse nuk ka struktura të "Antikrimit Kulturor" në vendin tonë, si në çdo vend të botës? E nisim nga suksesi i fundit i shtetit: Rikthimi në shtëpi i skulpturës së dorës së parë të antikitetit, "Koka e Zeusit". Nuk po diskutojmë absurdin pse u ble një pasuri që na ishte vjedhur dhe thjesht duhej të na rikthehej. As për mungesën e strategjisë së Ministrisë së Kulturës e Turizmit për identifikimin (përveç listës së INTERPOL) dhe riatdhesimin e mijëra veprave arti të "zhdukura" nga Shqipëria. Tani që Zeusi u kthye në Butrint, a nuk ka nevojë që më shumë se publiku, organet e drejtësisë duhet të mësojnë më së pari përgjigjet e ca pyetjeve? Kush janë ideatorët dhe realizuesit? Si e kryen grabitjen, sepse në vitin 1991 vërtet ka pasur brishtësi të shtetit, por jo aq sa të vjedhësh një kryevepër në një nga muzetë kryesorë të vendit. U hap ndonjë hetim në atë kohë? Nëse "po", sa vazhdoi ai dhe çfarë arriti të zbulojë? Nëse "jo", përse jo dhe kush e pengoi apo e neglizhoi? Kryevepra u kthye, por autorët e odisesë së saj mafioze nëpër Evropë edhe sot janë të lirë dhe anonimë. E njëjta logjikë e egër funksionon edhe për mijëra ekzemplarë të kulturës dhe historisë së shqiptarëve, që presin jo vetëm rikthim, por edhe drejtësi. Të gjitha pyetjeve të mësipërme mund t‘u përgjigjet vetëm një strukturë që mungon në Shqipëri: Departamenti i hetimit për vjedhjen dhe trafikun e aseteve kulturore dhe veprave të artit. Është një strukturë që në të gjitha policitë dhe prokuroritë partnere të vendit tonë, jo vetëm që ekziston, por është edhe "aristokratike", pra elitare nga rëndësia dhe vlerësimi…


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›