Kur bie puna tek zgjedhjet, gjykata e ka dorën e lehtë
Se mos vetëm tek zgjedhjet. Por gjithmonë kur flitet për zgjedhjet, ka një tendencë për të mos dënuar shumë abuzuesit e paktë që përfundojnë përpara gjykatës. Kështu ka ndodhur edhe me komisionerët e komunës Dajç në Lezhë, që u akuzuan për shpërdorim detyre dhe deformim të rezultatit zgjedhor.
Gjykata e Lezhës i ka dënuar me 5 vjet burg në total tetë komisionerët e qendrës së votimit në fshatin Dragushë. Shtatë nga komisionerët u dënuan me tetë muaj burg, njëri me katër muaj. Prokuroria kishte kërkuar 15 vjet burg dhe 2.4 milion lekë gjobë.
Kandidati i opozitës, Rrok Rroku, pati denoncuar se në këtë komunë kishin votuar me dhjetëra persona që ishin jashtë shtetit më 8 maj. Ai u ankua në KQZ dhe Kolegj Zgjedhor, por u shpërfill prej tyre. Atëherë iu drejtua prokurorisë, e cila nuk e pati të vështirë të identifikonte abuzimin.
Kryeministri Sali Berisha disa herë është shprehur kundër dënimeve të ashpra për njerëzit që fusin duart në zgjedhje, duke folur me zjarr kundër opozitës që kërkon dënime të forta.