E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur brenda është jashtë..

Problemi i Kosovës nuk është se ajo nuk ka politikë të jashtme. Problemi i Kosovës është se ajo ka vetëm politikë të jashtme. Pra, problemi i Kosovës është se nuk ka politikë të brendshme. Adri Nurellari, në një artikull të mëhershëm, shkruante se në Shqipëri e gjithë politika e jashtme është politikë e brendshme. Politikanët e Shqipërisë edhe kur bëjnë politikë jashtë vendit në mendje e kanë veçse vjeljen e votave të qytetarëve brenda vendit. Mbase për Kosovën do të mund të thuhej e kundërta: politika e brendshme te ne është veçse politikë e jashtme. Çdo fjalë, gjest a (mos)veprim i politikanëve kosovarë para qytetarëve të Kosovës thuhet e bëhet për hir të imazhit të tyre para faktorëve ndërkombëtarë. Politikanët kosovarë (ndoshta edhe) ia kthejnë shikimin qytetarëve që janë atje larg dhe poshtë, porse hallin e kanë te shikimi ndërkombëtar që u ndodhet sipër dhe fare pranë. Problemi nuk qëndron vetëm te mosproblematizimi i mungesës së politikës së brendshme dhe zëvendësimi i kësaj me kritikë për politikën e jashtme, por edhe te lloji i kësaj kritike. Skënder Hyseni kritikohet nga analistë e ekspertë të ndryshëm që nuk po lobon sa duhet – ose edhe madje që nuk din të lobojë – për më shumë njohje të pavarësisë së Kosovës. Por, ai nuk kritikohet që politika e jashtme e Qeverisë së Kosovës, në të vërtetë, nuk është fare e Qeverisë. Asnjë nga shtetet, që deri më tani e njohën Kosovën, nuk e bënë këtë si rezultat i punës së Skënder Hysenit, sado e palodhshme të ketë qenë ajo, por për shkak se i ndoqën ndonjërën ose të gjitha ato pesë shtetet e fuqishme të botës, të cilat e njohën Kosovën të parat. Dhe, janë po këto pesë shtete që realisht edhe e sundojnë Kosovën këtu brenda, të organizuara në një formacion që njihet si zyrat (tash mbase ambasadat) e Quintit. Në mungesë të politikës së saj të brendshme, Kosova është pre e politikave të jashtme të këtyre pesë shteteve (madje shto këtu edhe UNMIK-un dhe Serbinë). Politika e jashtme e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë për Kosovën është politikë e brendshme e Kosovës. Ndërkaq, me politikën e jashtme të Kosovës merret e gjithë Qeveria e Kosovës meqenëse krejt çka bën ajo është politikë e jashtme. Në këtë kuptim, nëse jemi të sinqertë deri në fund (sidomos sa i përket njohjeve të reja), problemi thelbësor nuk është që MPJ-ja s’po punon mjaft dhe as se ajo përbëhet prej njerëzve jokompetentë, por që MPJ-ja, realisht, as që na nevojitet. MPJ-ja bëhet MPJ e vërtetë dhe e nevojshme vetëm pasi që, Qeveria e Kosovës, të ketë politikë të brendshme. MPJ-ja duhet të mbyllet dhe të rihapet kur të kemi politikë të brendshme, gjë që do ta rikuptimësonte drejt politikën e jashtme. Deri atëherë, kritikat për MPJ-në janë shpenzim kohe që i suplementohet shpenzimeve të parave të buxhetit të Kosovës për këtë ministri. Sepse, para së gjithash, nuk kemi të bëjmë me praktika të këqija, por me koncepte të gabuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›