E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur do filloni me protestat se na plasët!!!

Kaq shumë kohë ka që dëgjojmë ritualin e protestave të opozitës sa sinqerisht e them edhe me zë të lartë: Filloni me protestat se na plasët! Sikur se çfarë do të ndodhë pas tyre, a thua se nuk kemi një vit e gjysmë që i dëgjojmë dhe i ndjekim, a thua se ato, edhe kur morën kurbën më të lartë me grevën e urisë, përsëri nuk patën asnjë efektivitet politik. Trajektorja e gabuar që ndoqi opozita me bojkotin e çuditshëm parlamentar për gjashtë muaj, ndryshimi i pakuptueshëm i qëndrimeve dhe kërkesave në mitingjet që ka organizuar, këmbëngulja për të mos u tërhequr deri në fund nga greva e urisë pa u zgjidhur çështja e hapjes së kutive dhe sa e sa teza të tjera që vihen dhe hiqen pa asnjë argument nga kredot e opozitës, kanë krijuar një inflacion të rëndë besueshmërie po edhe serioziteti. Në të tilla kushte kërcënimet për protesta kanë humbur atë shans për t’u marrë seriozisht nga mazhoranca, pasi përsëritja deri në bezdi dhe mungesa e një argumenti të qëndrueshëm e konstant, nuk kanë lënë më asnjë hapësirë për të vlerësuar në parametra seriozë shqetësimet që ngre një forcë politike. Aq më shumë kur jepen data dhe afate, kur shtyhen e rishtyhen, kur bëhen në një sfond social tepër të papërshtatshëm dhe moment shumë delikat që po kalon vendi dhe kur si në hije, disa nga aleatët duken si të tërhequr, pavarësisht se ka filluar rekrutimi i ndonjë aleati të ri, ndonëse jo shumë i besueshëm dhe serioz. Me fjalën protestë, në pamundësi të një veprimi racional politik, opozita ka gjetur shtegun për të justifikuar pamundësinë e afishimit të një alternative serioze dhe me vizion. Në mungesë të partiturës politike, duket se jo vetëm nga ana organizative, por edhe e platformës, çdo gjë i lihet rastësisë dhe që në fund mbyllet me kërcënimin për protesta, e thua se ky është çelësi i artë që do të zgjidhë të gjitha problemet që ka sot vendi.

Ka disa ditë që artikulohet që protestat do të rinisin. Po çfarë do zgjidhin ato me rinisjen e tyre ? Të gjithë e dinë se jo vetëm që nuk do zgjidhin asgjë, por do të kërkohet më pas një pretekst për të dalë prej tyre, pasi mossuksesi është i garantuar. Të lodhur me tezën e protestave më shumë se kushdo janë mbështetësit e opozitës, gjë që duket edhe nga pjesëmarrja, po edhe entuziazmi shumë i zbehtë. Të ballafaquar me kthesa të befta të kryetarit të tyre dhe tërheqje nga qëndrimet deri radikale, pa dhënë asnjë arsye e sqarim, populli opozitar e ka të vështirë të besojë në seriozitetin e radhës. Duke shtuar këtu edhe atë çfarë po ndodh në Shkodër, përgjegjshmëria civile rritet edhe te militantët më ekstremistë, të cilët normalisht janë shumë larg etheve të pushtetit nga se çfarë është lidershipi i tyre. Në protestat që do rinisin, të bitisin si të duan, se asgjë nuk ka për të ndodhur, pavarësisht artikulimit deri në bezdi, opozita duket se do të vërë në qendër situatën e përmbytjeve. Por edhe kjo jo vetëm se merr pas vetes shumë pikëpyetje, por nuk ka kredite besueshmërie.

Idetë për rishikimin e buxhetit, për rialokim fondesh për Shkodrën dhe zgjidhje afatgjata, të cilat sot po trumbetohen nga Rama nëpër konferenca shtypi, janë një alibi politike, por edhe një veprim demagogjik me rezonancë shumë negative. Ata njerëz që sot ballafaqohen me një vështirësi ekstreme dhe fatkeqësi natyrore nuk kanë nevojë të dëgjojnë për ëndrrat e së nesërmes. Ata duan të dinë për zgjidhjet urgjente të së sotmes, për të mbijetuar së bashku me gjithë gjënë e gjallë që u mban frymën, për të shpëtuar me sa më pak pasoja, për të mos pasur viktima e situata të rënda shëndetësore. Ata kanë nevojë për solidaritet e jo për mitingje, ata kanë nevojë për ushqime e jo teori buxheti, rishikimi i të cilit po afishohet si një zgjidhje, kur në fakt nuk është kështu. Në se opozita e dinte se do të vinin përmbytjet dhe Shkodra kishte nevojë për një ndërhyrje afatgjatë e të studiuar, aty ishte kur u diskutua buxheti. Madje qyteti kish filluar të përmbytej e nga sirtarët e opozitës mund të nxirreshin projektet shpëtimtare! Por duket se e gjitha ka për qëllim që të përdoret vetëm për konsum politik. Rishikimi i buxhetit me rialokim fondesh vetëm në një drejtim i argumentuar si zgjidhje, në rastin më të mirë është një naivitet politik, ndërsa në gjykimin me objektivitet është një gjuhë tinëzare e mbështjellë me një demagogji që një specialist i zakonshëm finance i ka të gjitha argumentet pas vetes për ta kundërshtuar. Mirëpo e hedhur në treg në kohë krize, ajo do të jetë pjesë e sloganeve të reja të mitingjeve të paralajmëruara, që vetëm do të dobësojnë kauzën opozitare. Një ligj stabiliteti, siç është ai i buxhetit, nuk mundet të marrë forma të tilla, sipas qasjeve politike të njërit apo tjetrit. Ata nuk janë para që kalojnë nga njëri xhep te tjetri, nga nevoja për të blerë mobilie, në domosdoshmërinë për të blerë fasule e vaj. Rishikimi i buxhetit mund të ndodhë në një kohë tjetër dhe pasi të jenë identifikuar rrugët e zgjidhjes së situatës, të mbështetura në projektet përkatëse, me qëllim që ata të japin impaktin e duhur dhe të mos përdoren vetëm elektoralisht, siç kërkon në rastin konkret Rama. Këtu nuk është fjala për të mbyllur ca vrima e për të hapur ca të tjera, por duhet që përballë mendimeve të specialistëve e zgjidhjeve të menduara, të diskutohet mbi mundësitë financiare e rezervat që disponohen. Thirrjet e tanishme janë vetëm për show e do mbesin të tilla, pavarësisht se protestat nisin të martën.

Realisht shumica e njerëzve kanë një tjetër shqetësim, mos vallë do rinisin shirat që do rëndojnë gjendjen e atyre njerëzve në nevojë, pa protestat le të fillojnë se nuk prishin asnjë punë. Nëse janë për të ndrequr, mirë do jetë, por siç është parë deri tani, shumë zhurmë për asgjë. Gjasat janë që edhe kësaj radhe asgjë nuk do ndryshojë, zhurma do vazhdojë. Koha përsëri është e papërshtatshme, por mungesa e racionalitetit dhe e përgjegjshmërisë po kthehet në një tipar të pakëndshëm të opozitës së pabashkuar !

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›