E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur do të shkarkohet Prokurori...

Zoti i dhëntë shëndet e jetë Kryeprokurores Rama, por nëse gjërat do të vazhdojnë të jenë kështu si sot, me siguri do të vijë herët a vonë edhe dita kur ajo do të shkarkohet. Sepse nuk mund të ndodhë ndryshe. Problemi është si?
Ky shkrim qëndron larg konsideratave politike dhe nuk ka për qëllim të merret me atë që shpesh është thënë se "çdo forcë politike që merr shumicën në Kuvend dhe vjen në qeverisje të vendit do ta ketë të vetin Kryeprokurorin e Republikës", por të analizojë për lexuesin formulimin e neneve të Kushtetutës që rregullojnë pikërisht momentin delikat të emërimit dhe shkarkimit të këtij funksionari të lartë publik, në këndvështrimin kushtetues, me dëshirën e mirë për të kontribuar sidoqoftë në debatin për reformën në drejtësi.
Neni 148 i Kushtetutës paraqet një Prokuror të Përgjithshëm, i cili emërohet nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit. Mes një numri jo të vogël variantesh të njohura në botë, në opinionin tim, ne kemi adoptuar një mënyrë zgjedhjeje, e cila përfshin në mënyrë të konsiderueshme e pa asnjë ekuivok përfaqësuesin e sovranit - parlamentin, por duke ia lënë kompetencën ligjore përfaqësuesit të unitetit kombëtar (që jo rastësisht ka edhe një mandat më të gjatë se i pari) – Presidentit të Republikës. Në rastin e emërimit, fuqinë e vërtetë e ka parlamenti, pasi ai mund të vazhdojë të refuzojë të gjitha propozimet e Presidentit, deri sa të arrijë në një kandidaturë të preferueshme për të (natyrisht për shumicën e tij).
Formula ndryshon në rastin e shkarkimit. Tanimë nuk është Presidenti ai që inicion procedurën, por Kuvendi. Nga ana tjetër, duhet "pëlqimi" i detyrueshëm i Presidentit që vullneti i shumicës të Kuvendit të sendërtohet ligjshmërisht. Kjo procedurë, mbështetur në një logjikë sempliste e të paanshme, duhet të ishte thjesht e kundërta e asaj të emërimit, pra që Presidenti - që kishte bërë propozimin për emërim - të bënte edhe propozimin për shkarkim dhe Kuvendi të jepte pëlqimin (ose mospëlqimin, sikundër herën e parë), por jo, është zgjedhur një përmbysje simetrike e roleve.
Pra në një përballje mes konceptit të demokracisë (pushtetit të shumicës), të mishëruar tek parlamenti dhe shumica e thjeshtë që nevojitet për të dhënë pëlqimin (e quajtur ndryshe edhe "qeverisëse" e që identifikohet lehtë edhe me kryeministrin) dhe konceptit të Republikës (res publica – gjëja publike, ose e mira e përgjithshme), baballarët e Kushtetutës shqiptare, besoj për arsye të forta, kryesisht historike, ia besuan fjalën e parë dhe të fundit pikërisht Presidentit të Republikës, në mënyrë të tillë, që Prokurori i Përgjithshëm i shtetit (Republikës) të ishte sa më larg interesave meskine, të ngushta dhe shpesh të përkohshme të politikës.
Kushtetuta, për një mungesë vëmendjeje ose jo, nuk parashikon një mandat të kufizuar të Prokurorit të Përgjithshëm. Nuk është një variant fort i përhapur në botë (ndërsa shkruaj më vjen ndër mend vetëm Hungaria), por nga ana tjetër, a priori, nuk mund të hidhet tutje pa argument. Dhe argumenti në këtë rast, shumë më tepër sesa juridik, është politik. Ndryshueshmëria në vite e Kryeprokurorit, përtej mundësisë për evolucion të ideve dhe metodave të drejtimit të institucionit nga një pasardhës më "i ndriçuar" profesionalisht (gjë që s'mund ta garantojë askush, ndërkohë që mund të ndodhë edhe e kundërta), i vjen për shtat mazhorancës politike që vjen në qeverisje, e cila ka përgjegjësinë përpara zgjedhësve dhe të gjithë qytetarëve të vendit të vejë në jetë me sa më shumë efikasitet politikat e veta penale, të shpalosura dhe premtuara në programin e saj elektoral – dhe këtu nuk ka aspak vend për qortim.
Në tryezat formale dhe informate ku diskutohet për reformën në drejtësi, është përmendur edhe nevoja për një amendament kushtetues që do të kufizojë kohën e qëndrimit në detyrë të Prokurorit të Përgjithshëm. E përfolur edhe si një nga zgjidhjet e ngërçit institucional-politik mes Kuvendit dhe ish-Kryeprokurorit Sollaku, kjo u la mënjanë pasi u kuptua që edhe sikur ky amendim të bëhej real, ai sërish nuk do të kishte efekt në pozitën e z.Sollaku, pasi norma, si parim, nuk mund të ketë fuqi prapavepruese (përveçse nëse do të dilej me ndonjë formulim të shëmtuar e të stërzgjatur, që do të mbetej si gjemb në Kushtetutë).
Aktualisht kemi një Kryeprokurore të re, të zgjedhur përmes të njëjtit rregullim kushtetues dhe që, siç e them edhe në fillim, nëse do Zoti dhe i jep shëndet e jetë, do të qëndrojë gjatë në atë detyrë, nëse nuk jep dorëheqjen apo shkarkohet si të gjithë paraardhësit e saj.
Dhe këtu vijmë tek një tjetër problem. Kushtetuta parashikon se "Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit". Duke hequr "paaftësinë fizike a mendore", mendoj se shanset që një individ në atë pozicion të bëjë "akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën" janë zero ose pothuajse. Shkelja e Kushtetutës është gjithashtu sa e padetajuar, aq edhe e pamundur, mbetet vetëm "shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve" (akuza me të cilën u përballën respektivisht Arben Rakipi dhe Theodhori Sollaku)!
Për të vërtetuar këtë, Kuvendi është i detyruar (sipas Rregullores së tij) të ngrejë gjithmonë një Komision Hetimor, i cili do të "verifikojë të dhënat, faktet dhe rrethanat për veprime e mosveprime të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilat përbëjnë shkelje të rëndë të ligjit dhe shkak ligjor për shkarkimin e tij nga detyra" (citim nga Vendimet e Kuvendit të Republikës për Komisionet Hetimore "Sollaku" 1 dhe 2).
Problemi këtu është se, mundësia që Kuvendi ta bëjë këtë pa hyrë në kompetencat e Prokurorisë është jashtëzakonisht shumë e vogël. Personalisht e kam të vështirë të imagjinoj se me çfarë "bisturie" do të duhet të operojë Komisioni Hetimor përkatës, që të mos e gjej veten në konflikt kompetencash me Prokurorinë, pasi ka një jurisprudencë të konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese e cila thotë se "mjetet e kontrollit parlamentar mbi Prokurorinënuk mund të përdoren asnjëherë si instrument për të shqyrtuar dhe vlerësuar vendimet e marra nga ana e prokurorëve për çështje konkrete", apo që "kontrolli i bazueshmërisë në ligj, të vendimeve të prokurorëve dhe vlerësimi e shfuqizimi i tyre, është atribut i vetë prokurorisë ose organeve të caktuara me ligj, siç është gjykata" dhe se "jashtë kontrollit të Kuvendit, nisur nga këto kritere juridike, janë edhe çështje të tjera të përfshira në objektin e hetimit të komisionit, si kontrolli i plotësisë së kallëzimeve të bëra në prokurori, kontrolli i plotësisë së hetimeve të zhvilluara nga organi i prokurorisë, vlerësimi i cilësimeve juridike të bëra nga ky organ dhe i llojit e masës së dënimeve të kërkuara nga prokurori etj."
Duke mos paragjykuar vendimin në pritje të Gjykatës Kushtetuese mbi kërkesën e ish-Kryeprokurorit Sollaku për konfliktin e kompetencave mes Prokurorisë dhe Kuvendit, mendoj se, në hipotezën që kërkesa e ish-Kryeprokurorit të pranohet, atëherë politika duhet të kuptojë përfundimisht se nuk ka asnjë mundësi të shkarkojë një prokuror pa shkelur Kushtetutën. Dhe këtu jemi përpara një paradoksi, pasi edhe nëse një prokuror shkel ligjin "në ushtrim të funksioneve të tij", Kuvendi e ka thjesht të pamundur ta vërtetojëkëtë pa hyrë në vlerësimin e vendimeve të prokurorëve për çështje konkrete; nga momenti që do ta bëjë këtë, do të ketë shkelur Kushtetutën, ndonëse qëllimi është krejt legjitim. Gjendemi në një rreth vicioz të vendosur nga vetë Kushtetuta: do ta shkarkosh sepse ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën, nuk e bën dot sepse shkel ligjin dhe Kushtetutën! Të gjitha këto, shpresoj të jenë në vëmendjen e strukturave që do të realizojnë reformën në drejtësi, në mënyrë që nesër, të mos gjendemi sërish në situata të tilla pa rrugëdalje.
*Autori është jurist

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›