Muzika e kinemasë për Krishtlindje
Një festë e konceptuar ndryshe. Nuk do të ketë muzikë fetare me ëngjëj e fëmijë-shpëtimtarë të sapolindur, por muzikë filmash. Koncerti i Krishtlindjeve ,"Homazh Kinemasë" nën interpretimin e solistëve të orkestrës së San Carlos të Napolit do të zhvillohet 25 dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar tëOperës dhe Baletit në Tiranë. Koncerti përmban një program të pasur me muzikëne filmave më të njohur italianë e ndërkombëtarë. Tashmë muzika e filmave nuk shihet si një krijimtari e dorës së dytë, por si vepra të mirëfillta, që komunikojnë më natyrshëm me publikun. Orkestra përbëhet nga mjeshtri Ilie Ionescu, në violonçelë, i shoqëruar nga Mariana Muresanu, violinë e parë, Amedeo Salvato në pianoforte, Gaetano Maria Palombo në flaut, Giuseppe Navelli në violë, Maria Chiara Aventaggiato në violinë, Gianluigi Pennino në kontrabas dhe Salvatore Piedepalumbo në fizarmonikë. Do të interpretohen pjesë muzikore nga S. Cipriani, A. Piazzolla, N. Rota, M. Steiner, J. Williams, R. Donaldson, N. Brodszky si dhe të shumë kompozitorëve të rëndësishëm bashkëkohorë. Si pjesë e orkestrës së Teatrit San Carlo të Napolit, grupi ka dhënë qindra koncerte në sallat më prestigjioze italiane dhe ndërkombëtare, duke marrë pjesë edhe në shumë festivale, si Festivali Ndërkombëtar i Linz në Austri si dhe në Festivalin J. Brahms në Ischia. Koncerti zhvillohet nën kujdesin e veçantë të Ambasadorit të Italisë në Tiranë, si dhe të Institutit Italian të Kulturës.