Poliklinikat, ja masa e shpërblimeve për 9 mijë punonjës
Sipas ISKSH-së mjekët do të përfitojnë 30 mijë lekë shpërblim, ndërsa personeli tjetër 10 mijë lekë
Të gjitha bluzat e bardha që shërbejnë në qendrat shëndetësore parësore do të përfitojnë shpërblime me rastin e festave të fundvitit. Kështu mjekët do të marrin 30 mijë lekë (të reja) shpërblime, ndërsa personeli tjetër 10 mijë lekë. Këtë e bëjnë të ditur burime zyrtare të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, sipas të cilëve, shpërblimet e vitit 2006-2007 janë më të mëdhatë që mjekët e familjes kanë marrë që kur është krijuar ISKSH-ja. Ndërkohë specialistët e këtij institucioni shpjegojnë edhe rritjen e pagës që është përfituar sipas performancës.
Shpërblimet
Sistemi parësor duket se ka rezervuar shpërblime për punonjësit me rastin e festave. Kështu puna e bërë nga mjekët e poliklinikave gjatë gjithë vitit do të shpërblehet me një pagë mesatare mujore që është rreth 30 mijë lekë të reja. Numri i mjekëve të poliklinikave që do të përfitojnë nga kjo shumë në gjithë vendin është 1900. Ndërsa personeli tjetër i qendrave shëndetësore në sistemin parësor, siç janë infermierët dhe sanitaret, shpërblimi do të jetë në masë më të vogël, dhe konkretisht 10 mijë lekë. "Fondi që ISKSH-ja do të shpenzojë për këto shpërblime kap shifrën 131 milionë lekë të reja. Nga ky shpërblim përfitojnë rreth 9300 punonjës të qendrave shëndetësore, nga te cilët 1900 mjekë dhe 7400 personel tjetër, infermiere, sanitare etj", pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së. Sipas burimeve të këtij institucioni, për të realizuar shpërndarjen e këtyre shpërblimeve janë përdorur maksimalisht fondet në dispozicion dhe se do të akordohet buxhet shtesë për qendrat shëndetësore, pikërisht për rastin e festave të fundvitit. "Theksojmë se shpërblimet e vitit 2006 dhe 2007, janë më të mëdhatë që mjekët e familjes kanë marrë gjatë gjithë historisë së ekzistencës se ISKSH-së", pohojnë burime zyrtare të këtij institucioni.
Performanca
Shpërblimet e fundvitit do të merren nga mjekët dhe stafi tjetër i qendrave shëndetësore, përpos të ardhurave që këto qendra kanë përfituar nga shpërndarja e 10% mbi pagën për performancën gjatë gjithë vitit, e cila është përdorur dhe vazhdon të përdoret nga qendrat për rritje rroge dhe shpërblime. Kështu në lidhje me performancën burime zyrtare të ISKSH-së pohojnë se rezulton që rritja e përcaktuar sipas vendimit të Këshillit Administrativ të ISKSH-së është zbatuar në masën 45%, në bazë të realizimit të performancës nga vetë qendrat. Ndërkohë rritja e pagës në bazë të performncës, sipas specialistëve të ISKSH-së, do të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim.
9300 punonjës të qendrave shëndetësore parësore do të përfitojnë shpërblime për festat e fundvitit
1900 mjekë të qendrave shëndetësore parësore do të përfitojnë 30 mijë lekë për festat e fundvitit
7400 personel tjetër, infermiere, sanitare etj., të qendrave shëndetësore do të përfitojnë 10 mijë lekë shpërblime
131 milionë lekë të reja është fondi që ISKSH-ja do të shpenzojë për shpërblimet e personelit të parësorit
ISKSH: Stimulim i mjekëve në bazë të punës
Stimulim i mjekëve në bazë të punës dhe shërbimit që kryejnë ndaj pacientëve, dhe jo më një sistem ku rritja e pagës është e njëjtë për të gjithë, si për ata që punojnë e u shërbejnë me cilësi popullatës, ashtu edhe atyre që ofrojnë një shërbim të ulët. Kjo është filozofia e re që do të ndjekë në vitet në vazhdim Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, e cila do të aplikohet në të gjitha qendrat shëndetësore. Sipas burimeve zyrtare të ISKSH-së tashmë mjekët do të përfitojnë pagë më të lartë vetëm nëse e meritojnë atë, dhe kjo meritë do të jetë vetëm në bazë të fryteve të punës që do të japin. "Kjo do të thotë se mjekët kanë mundësi të përfitojnë më shumë para nëse i ofrojnë pacientit shërbim cilësor", pohojnë specialistët.