Një thesar sipas Wim Wenders
Wim Wenders thotë: "Nëse ka ekzistuar akoma diçka e shenjtë në shekullin tonë… nëse ka pasur diçka të çmuar nga kinemaja, atëherë ky thesar për mua do të ishte vepra e regjisorit japonez, Yasujiro Ozu. Ai ka bërë 54 filma. Filma pa zë në vitet njëzetë, filma bardh e zi në vitet tridhjetë e dyzetë, dhe në fund filma më ngjyra deri në vdekje, më 12 dhjetor 1963, në përvjetorin e tij të gjashtëdhjetë". Ky është vlerësimi që regjisori i njohur gjerman, presidenti i Akademisë Evropiane të Filmit, i bën një regjisori japonez, Yasujiro Ozu të cilit, në vitin 1985 i kushtoi filmin "Tokyo- GA", i cili shfaqet sot në mbrëmje në orën 19.00 në Shkollën e Filmit dhe të Multimedias "Marubi", në Tiranë.
Sipas autorit të këtij filmi biografik rreth 90 minuta, filmat e Ozusë megjithëse japonezë janë universalë. "Kam njohur aty gjithë familjet, në gjithë vendet e botës, kam njohur prindët e mi, vëllain dhe veten time. Për mua, askush më parë dhe kurrë më kinemaja nuk ka qenë kaq e lidhur ngushtë me thelbin dhe qëllimet e saj: për të shfaqur imazhin e një njeriu në shekullin tonë, një imazh praktik, të vërtetë dhe të vlefshëm, ku ai njeri jo vetëm njihte veten por edhe prej të cilit, dhe mbi të gjitha, ai mund të mësonte për veten.
Winders vlerëson veprën e Ozusë si një gjë të shenjtë prandaj udhëtimin për në Tokio për të realizuar këtë film 25 vjet pas vdekjes së regjisorit japonez, ai e pa si një pelegrinazh ku mund të gjente diçka nga koha e filmave të Ozusë, dhe nëse mund të takonte njerëz si ata për të cilët Ozu kish folur. Kaq shumë kish ndryshuar Tokio që nga vdekja e Yasujiro Ozu, sa asgjë nga këto s'kish mbetur.