E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Onufri" shqiptar dhe një lexim i rolit të vdekjes

Hapet sot konkursi ndërkombëtar i artit bashkëkohor. Ndër veprat "Bërë me tradhti" qëndron dhe ky serial nekrologjish i artistit sërb Miodrag Krkobabic
Edicioni i 14-të i ekspozitës-konkurs të artit bashkëkohor të quajtur "Onufër" hapet sot, më 20 dhjetor, në orën 19.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve. "Bërë me tradhti" quhet tema e këtij viti dhe përzgjedhja e punëve është bërë mbi bazën e këtij koncepti kuratorial të poetit Ervin Hatibi dhe të Rubens Shimës, nëndrejtor i GKA-së. Referuar origjinës së vendeve të artistëve pjesëmarrës, megjithëse ndërkombëtar, mund të quhet "Onufër shqiptar" këtë vit. Sipas të dhënave nga 28, 15 pjesëmarrës janë artistë shqiptarë. Përmendim Gent Gjikola, Alban Hajdinaj, Greta Lamaj, Heldi Pema, Ardian Isufi, Najada Hamza, Eltjon Valle etj.
Megjithatë dita e sotme do të tregojë se në ç'nivel është prurja e punëve dhe ekspozita në tërësi e cila qëndron e hapur deri më 30 janar.
Për konceptin "Bërë me Tradhti"/Betrayal in Art", kuratorët kanë shpjeguar se "është një lexim tendencioz i mitit të Pigmalionit, i cili kërkon të nënvizojë tensionin e pashmangshëm që shoqëron përballjen e artistit me veprën, kodet komunikuese, shoqërinë dhe anasjelltas."
Në këtë kontekst një nga punët që kish zënë vend mes shumë të tjerave dhe që tërheq vëmendje është krijimi i artistit sërb Miodrag Krkobabic. Në fokus është portreti i tij në njoftime vdekjeje. Obituaret si "informacion", i janë bërë të pandashme shtypit të përditshëm. Kjo rëndomësi e vdekjes sikur i ka hequr asaj solemnitetin që në fakt nuk e gjejmë as në ciklin "Necrospection" e artistit 36-vjeçar, Krkobabic. Si ia ka hequr ai këtë "nur" vdekjes? Së pari duke vendosur në njoftime foton e vetë dhe së dyti duke e shpeshtuar aktin e vdekjes në një herë në vit. Pra janë një seri njoftime vdekjesh të realizuara që nga viti i parë i lindjes, deri në vitin 2007 kur Krkobabic e ka realizuar këtë ide. Viti i lindjes 1971 mbetet i pandryshuar, viti i vdekjes është ai që ndryshon së bashku me portretin e çdo viti të artistit, duke na lënë të kuptojmë peshën dhe solemnitetin e vërtetë të vdekjes në identitetin e tjetrit. Edhe sikur të donim t'i referoheshim për këtë ide kaq të fortë të artistit sërb, legjendës së zogut Feniks që ringjallet nga hiri i vet, do të mbeteshim tek legjenda dhe tek një dimension i gëzueshëm i "vdekjes motër" që hap rrugë të përtejme, dhe jo mbyll. Megjithatë tek ky spektër nekrologjik që na jep Miodrag Krkobabic mund të lexosh edhe vdekjen për së gjalli. Njeriu i portretit të vitit 1980, nuk është më ai i portretit të vitit 1981 dhe ca më pak ai i 1990-s. Vdekja si vazhdimësi, edhe ky mund të ishte një mesazh për jetën e konceptuar sipas Krkobabic. Artisti serb e ka pasur dhe tjetër herë në fokus të ideve dhe krijimeve të tij idenë e vdekjes. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd, Krkobabic, ka përvojë si artist rezident në kryeqendrat e artit bashkëkohor sot në Evropë. Është vlerësuar dhe me çmime në disa bienale arti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›