"Aftësi për të interpretuar ligjërisht çdo transaksion"
PYETJE NË EMISIONIN "SI TË BËHESH MILIONER" - Zoti Kokëdhima, si mund të jesh korrekt me ligjin në kushtet në të cilat ndodhet tregu në Shqipëri? Si është eksperienca juaj, përshembull, sepse unë mendoj se është krejt e pamundur që në kushtet tona të mos shkelen ligjet, sidomos kur ke të bësh me administratë, të dërguarit e së cilës në terren, janë shpesh injorantë të vërtetë. Nuk kanë shumë faj ata që "i bien shkurt" dhe fitojnë miliona në ilegalitet të plotë, të pandëshkuar… Shpresoj të përgjigjeni, me respekt, Ilir L…
PËRGJIGJE NGA KOKËDHIMA - E kam thënë edhe në përgjigjen e një pyetje- në mos gaboj të një dëgjuesi nga Fieri,- që të zgjedhësh një aktivitet ilegal është një çështje individuale, është një vendim personal, që ka të bëjë me kulturën dhe formimin e individit, është çështje e mënyrës së llogaritjes së risqeve. Ka biznese ilegale kudo në botë, sigurisht ka edhe këtu në Shqipëri. Por bizneset serioze zgjedhin qysh në fillim të jenë të ligjshëm. Eksperienca ime? Mund t'ju them se çdo ide e projekt, çdo transaksion apo rezultat biznesi ne e trajtojmë nga pikëpamja ligjore në mënyrën më të favorshme për kompanitë tona, sigurisht brenda kuadrit të ligjit, që të kemi mbrojtje prej tij. A ia dalim gjithmonë që interpretimet e teknikëve tanë të pranohen si të ligjshme nga organet administrative e shtetërore, apo të jenë vërtet të ligjshme deri në fund? Jo. Qoftë edhe arbitrarisht e padrejtësisht shumë herë ato nuk pranohen si veprime që përputhen plotësisht me kuadrin e ligjit. Por kur nuk rezultojnë të ligjshme, paguajmë kostot. Nuk dua t'i iki tinëzisht pyetjes suaj. Dua t'ju them se aftësia për të interpretuar ligjërisht çdo transaksion biznesi është ndër kriteret më rigoroze të performancës se stafeve të bizneseve serioze. Nëse merreni me biznes, ndoshta ju nuk i thoni stafeve tuaja të jenë "të moralshme", sepse kjo në shumë rrethana mund të ngjajë si një predikim steril, por ju duhet t' kërkoni atyre të jenë efektivë dhe të ligjshëm në punët që kryejnë. Ju duhet t'i shpallni parimet etike që duhet t'i përmbushë çdo i punësuar.