E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk mund të hidhet baltë mbi artistin



Taqo MIO, Fatmir LUARASI

“Fillimisht nisem të mendoj dhe pastaj të hedh në letër, mandej në baltë skicë-idetë, - na mësonte profesori Kristaq Rama, - se është e vështirë të ndërtosh diçka pa u menduar më parë për një këndvështrim origjinal e të freskët; pa përsëritur çka ke arritur më parë…. Kjo është udha e dialektikës, e cilësisë në art. Duke u ndodhur në kërkesa të tilla duhet të kërkoni dhe eksperimentoni mbi ide dhe mendime”.

Profecia u realizua

Mjedisi në të cilin lindi profesori (qyteti i lashtë dhe me famë i Durrësit), më 31 korrik 1932, në atë shtëpinë e vogël dykatëshe, aty në kodrën ku sot është zbuluar amfiteatri i vjetër, ishte skalitur në vetëdijen e skulptorit të madh (që bëri monumente e vetë mbeti monument) ajo ndjenjë e fuqishme për adhurimin e estetikës së përsosur antike. Babai i tij, Vlash Rama, me profesionin shofer, nuk e kishte zakon të profetizonte. Por, një ditë, kur djali i tij i vogël, Kristaqi, theu pa dashje një qyp antik që e mbanin në oborr për grumbullimin e ujërave të shiut, ai tha: “Për hajër qoftë, se kur të rritet djali, na e bën më të madh e më të bukur”. (Profecia u realizua).

Edukimi dhe karriera

Kristaq Rama e kreu shkollën fillore dhe unike në qytetin e lindjes. I pëlqente veçanërisht vizatimi. Por më tepër pëlqente pasditet, kur shkonte në plazhin e vogël të Currilave. Aty, jo aq për t’u larë në det sesa për të marrë baltën e butë viskoze, me ngjyrë gri të kodrës, me të cilën bënte figura të ndryshme, të cilat shpeshherë, për t’i ruajtur, i fshihte nën krevat apo edhe nën dollapët e shtëpisë. Pa u zgjatur me peripecitë e vështirësitë që hasi Kristaqi, për sa e si e mbaroi Liceun Artistik, e më pas studimet e larta në Petërsburg, do të donim të tregonin për disa nga veprat e mëdha që na la gjatë studimeve dhe më pas. Kur ishte ende student gdhendi në dru punimet e tij të para si portretin “Malësori”, të cilin e dërgoi në Ekspozitën Kombëtare të vitit 1959. Me këtë vepër ai fitoi çmimin e parë në konkursin e 15-vjetorit të çlirimit. Me mbarimin e studimeve, në vitin 1960, në shtator të po atij viti, u emërua inspektor i arteve figurative në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Në maj të 1962-shit bëhet drejtor i Galerisë së Arteve; në vitin 1966, drejtor Drejtorie në Ministrinë e Kulturës.

Veprat e para artistike

Kështu, sa në mbledhje e në studio, deri në vitin 1970, kur doli në krijimtari të lirë si profesionist, me detyrën që të realizonte monumentin “Pavarësia” dhe “Varrezat e dëshmorëve”. Mandej shkoi edhe dy vjet në bazë, në Korçën e bukur. Aty realizoi përmendoren “Guerilët”, e cila u vendos pranë Bibliotekës së Re, në lagjen e kalldrëmeve karakteristike. Duke qenë në profesion të lirë, njëkohësisht ishte i angazhuar me detyra të tilla si docent dhe udhëheqës i Ateliesë së Skulpturës Monumentale në Institutin e Lartë të Arteve, kryetar i Komisionit të Galerisë së Arteve, anëtar i Komitetit të Çmimeve të Republikës, anëtar i Komisionit Shtetëror të Arteve, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. E me gjithë këto angazhime të mëdha, merrte pjesë me punimet e tij në të gjitha ekspozitat kombëtare.

Vlerësimet për artin

Ai realizoi jo pak vepra monumentale, buste, statuja… (monumente të njohura e me vlerë). Ndaj, në vitin 1969 iu dha titulli “Skulptor i merituar”, në vitin 1979 “Skulptor i Popullit”; tre çmime të Republikës; të Klasit të Tretë, në vitin 1965 për monumentin e Konstandin Kristoforidhit, në vitin 1970 të Klasit të Parë për monumentin “Shote Galica”; përsëri merr çmimin e Klasit të Parë në 1974-n për monumentin “Pavarësia”. Në vitin 1978 u dekorua me Urdhrin e Flamurit. Pa iu ndarë asnjëherë krijimtarisë, ai fitoi një sërë çmimesh në konkurset kombëtare, si dhe një çmim tjetër në Bienalen e Aleksandrit. Pas vdekjes iu dha titulli “Qytetar Nderi i Durrësit”.

Artist edhe në jetë

Janë të shumtë ata që e kanë njohur nga afër dhe shprehen me konsiderata të veçanta. Ai ishte një burrë me trup të lartë dhe me fizikun e një sportisti. Kishte një portret të bukur, me tipare të spikatura, me flokë të zinj, të krehura lart, që rrumbullakosnin një kokë plot mend e fantazi. Fizionomia e tij të ngjallte respekt. Kur tregonte një histori me mënyrën e tij të veçantë, të bënte për vete. Vishej me sqimë.
Ja si shprehet një kolegu i tij: ”Kristaqi, subjektet e mëdha të Historisë së Shqipërisë i realizoi i ndikuar nga kërkesat e kohës, si në formë, në përmbajtje, ashtu edhe në madhësi. Ai i punoi me dinjitet këto monumente, qoftë me autorësinë e tij, qoftë në punimet me artistët në grup. Shotën e krijoi me pasion e frymëzim të veçantë. E vendosi në qytetin e Kukësit, me fytyrë nga Kosova, që në atë kohë ishte e robëruar. I madhi Odhise Paskali, kur e pa, tha se ‘Rama, vepra të tilla, i krijon vetëm një herë në jetë’. Ne, studentët e tij, profesor Ramën e kemi parasysh si një krijues që në personalitetin e tij gërshetonte dhuntinë artistike me korpulencën fizike, të cilat i manifestonte me një devotshmëri titanike. Si patriot që ishte, postulatet themelore të ndërmarrjeve të tij do te pasqyronin në retrospektivë rrëfimin në gur të historisë epike të kombit.

Vlera të paharruara

Veprat e tij gjejnë një komunikim të përsosur. Imazhet e skalitura reflektojnë morfologji autentike, strukturale, tradicionale, me tipare të theksuara psikike, që perceptohen dhe përjetësohen si fosilet. Vargoni i figurave të tij qenë figurat më të shquara të kombit; qofshin ato portrete apo monumente gjigante. “Ai ishte i madh, - shkruan profesor Shyqyri Nimani, - e përgjonte, e ndiente, e përkëdhelte dhe e adhuronte materialin skulpturor; deltinën, gurin, drurin e bronzin”. Vepra e Kristaq Ramës ka diapazon. Ajo u punua në laboratorin e tij artistik. Ajo ka plastike monumentale, formë lakonike dhe mjeshtri artistike. “Me ne, studentët, sillej si profesor dhe koleg. Ishte kënaqësi e veçante të punoje me të. Prania e tij ishte e këndshme edhe kur ai nuk fliste. Në punët e përbashkëta mbante peshën kryesore dhe njëherësh bënte orientimin krijues. Kishte humor të këndshëm. Në kërkim të talenteve të reja personalisht më mori për dore (Taqo Mio) dhe më futi në rrugën e artit e të skulpturës. Në sajë të ndihmesës së tij sot jam skulptor dhe kryemjeshtër ndërtimi. Nën udhëheqjen e tij realizova vepra që më dhanë forcë dhe kurajë për të ecur me guxim në rrugën e artit. Duke qëmtuar ditët që kam qëndruar pranë tij, sot, që më mungon, ndiej dhimbje dhe dashuri”.
Kristaq Rama vdiq më 10 prill 1998. Të nesërmen, trupi i tij pajetë u vendos në hollin e Galerisë së Arteve në Tiranë. Ajo ishte një ditë e errët për artistët, për miqtë e për të afërmit e tij. E përcollëm duke vuajtur humbjen e tij. Aneta, bashkëshortja, kujton me dhimbje: ”Kristaqi përdorte gjuhën e qetësisë dhe haresë në familje. Ai sillte ndryshime mirësie në hapësirat e saj. Komunikimi me të ishte ideal”.
Në homazhin e tij u thanë këto fjalë: “Ne, sot, ngushëllohemi se Kristaqi na la veprën, por në fund ne humbëm Kristaqin-njeri. Ai nuk është më. Ai nxirrte në plan të parë ato gjëra që ia vlente të jetoje”.

Nuk mund të përbaltësh njeriun-artist

Në përfundim të këtyre radhëve desha të them se prej kohësh na lodh një pyetje: “A do të hidhej kaq baltë (nga disa gojë të liga) për këtë njeri monumental, sikur djali i tij, Edi Rama, aktualisht kryebashkiaku i Tiranës, i njohur për vizionin dhe punën e palodhur? Më mirë sesa lexuesi dhe publiku nuk mund ta japë askush këtë përgjigje. Megjithatë, askush nuk mund të përbaltë këtë njeri-artist të rrallë, që sot jeton me ne me veprat që na la trashëgim.

Taqo MIO është kryemjeshtër ndërtimi dhe skluptor
Fatmir LUARASI është me profesion mësues letërsie dhe gazetar

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›