Ahmet Prençi: “Policia të Veri të parandalojë kultivimin e hashashit”
SHKODËR – “Drejtuesit e policisë së qarqeve në veri të vendit duhet të punojnë për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike”. Kjo ishte kërkesa që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, iu ka parashtruar krerëve të policive të qarqeve të Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit në takimin e zhvilluar dje në qytetin e Shkodrës. Prençi e vlerësoi fenomenin e parandalimit të narkotikëve, jo vetëm si aksion policor, por si aksion kombëtar me përgjegjësi direkte, për ta zhdukur përfundimisht atë. Shkodra ka qenë në hartën e zonave ku është mbjellë një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike vitin që kaloi. Kreu i Policisë e vuri theksin te fakti se duke qenë vit zgjedhor, efektivat e rendit duhet të tregojnë kujdes ndaj kontrollit të situatës kriminale në vend.
Prangoset 31-vjeçari, kërcënoi policët për ndalimin e vëllait
GJIROKASTËR – Kundërshton me dhunë dhe fyen forcat e policisë për të mos lejuar shoqërimin për në komisariat të vëllait të tij, por më pas ka përfunduar në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:30, në banesën e shtetasit Julian Jaçe, në fshatin Stermbes të rrethit të Përmetit. 31-vjeçari Jaçe ka kundërshtuar me dhunë oficerët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, të cilët kishin shkuar për të shoqëruar vëllanë e tij, Tomor Jaçen. Por, grupi i policëve ka marrë përgjigje përmes dhunës.
Burime zyrtare nga policia pohojnë se është shoqëruar për në komisariat Julian Jaçen dhe më pas është arrestuar në flagrancë për veprën penale të “kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë” dhe “fyerje për shkak të detyrës”. Sipas të njëjta burimeve Tomorr Jaçe do shoqërohej në komisariat pasi, pasi rreth orës 15.00 të ditës së premte ka debatuar me bashkëfshatarin e tij me iniciale J. T., i cili po udhëtonte me motor. Më pas Jaçe e ka kërcënuar se do ta vriste dhe e ka ndjekur nga mbrapa me makinën e tij për ta rrëzuar nga motori. Ndërsa mëngjesin e djeshëm policia ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin për në komisariat të Tomorr Jaçes, i cili ishte fshehur në pyll mbi fshat. Në përfundim të veprimeve të para hetimore Tomorr Jaçe është lënë i lirë dhe ndiqet në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të “kanosjes”. Ndërsa nën hetim është vëllai i tij, Juliani, pasi ka kundërshtuar dhe tentuar të dhunojë efektivat e rendit. Materialet në ngarkim të 31-vjeçarit i kanë kaluar prokurorisë së rrethit.
20 Prill 2009